Kylian Mbappe shkruan një tjetër faqe në librat e historisë. Sipas asaj që raportojnë mediat franceze, 24-vjeçari është shpërblyer në hierarkinë e kombëtares së “gjelave”, teksa do të mbajë shiritin e kapitenit në duelet e radhës.
Duke iu referuar të përditshmes sportive “L’Equipe” sulmuesi i PSG është zgjedhur për të trashëguar në këtë post, Hugo Lloris. Portieri u tërhoq nga kombëtarja pas turneut në Katar, me trajnerin Didier Deschamps që i beson shiritin të ardhmes së kombëtares franceze.
Mbappe ka luajtur në 66 ndeshje, duke luajtur një rol kyç te nënkampionët e Botës. Sulmuesi udhëhoqi skuadrën drejt titullit në Rusi 2018, ndërsa në Katar kontribuoi me 8 gola e 2 asistime.
Por sipas raportimeve nga mediet franceze kjo zgjedhje e trajnerit Didier Deschamps ka lënë jo pak persona të habitur.
Personi më i zhgënjyer nga ky vendim është Antoine Griezmann, i cili duhet të kishte trashëguar shiritin e Hugo Lloris për shkak të kohëzgjatjes në Kombëtare.
Griezmann krenohet me 117 paraqitje për “Les Bleus” (i 5-ti në renditjen e të gjitha kohërave) dhe që nga 31 gushti 2017 ai nuk ka humbur asnjë ndeshje.
Madje nga raportimet nga Franca theksohet se lojtari i Atletico Madrid, për shkak të këtij vendimi, por edhe për shkak të një debati që thuhet se ka patur me Mbappe, mund ta mbyllë me Kombëtaren dhe të largohet nga grumbullimi.