Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim ka mbërritur sot në Tiranë, trembëdhjetë ditë pasi bëri betimin para Senatit Amerikan.
Pas Mariza Linos dhe Marcie Ries ajo është e treta diplomate femër që do të drejtojë Ambasadën Amerikane në Tiranë, por është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori.
Gjatë seancës për miratimin e saj në Senat ajo ka deklaruar se do të ndihmojmë në forcimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit.
Kim ka deklaruar se do të mbështesë reformat në Shqipëri për ngritjen e SPAK dhe BKH.
E pyetur për ndikimet ruse dhe si do të punojë në Shqipëri, Kim deklaroi se në Shqipëri, ndikimi rus është pak ose aspak i ndjeshëm.
“Mendoj se mënyra për të ecur përpara bazohet në solidaritet, integrim dhe bashkëpunim. Duke qenë se Rusia nuk ka tërheqje të madhe në Shqipëri, ne do mbajmë vende të tilla më afër”, tha Yuri Kim.
Ambasadorja e SHBA-ve theksoi si pikë të dytë zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. “Së dyti, do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në terma të menjëhershëm, unë do të shtyj drejtuesit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në një mënyrë që përforcon kërkesën e pranimit të Shqipërisë në BE. Së treti, do të punoj për të promovuar eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri në mënyrë që të sigurohen mundësi për qytetarët e SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe të krijohen vende pune në të dyja shtetet”, u shpreh Kim.
Pasardhësja e Donald Lu, më herët ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka punuar si drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, si dhe si drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.