Qindra punonjës të spitaleve në Hong Kong kanë hyrë në grevë, për të kërkuar mbylljen totale të kufirit me Kinën kontinentale, në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit.
Mjeku terapist Samuel Chan tha: “Ata duhet të mbyllin patjetër kufirin. Nëse nuk i ndalojnë njerëzit me koronavirus të hyjnë në Hong Kong, e gjithë puna mjekësore është e pakuptimtë”.
Hong Kongu ka pezulluar të gjitha shërbimet hekurudhore dhe detare ndërkufitare, por punonjësit e shëndetësisë kërkojnë mbylljen e plotë të kufirit. Por, një hap i tillë, sipas autoriteteve, do të ishte në kundërshti me atë që këshillon Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Në qytet ka 15 raste të konfirmuara me virus. Rastet e konfirmuara me koronavirus në Kinën kontinentale janë mbi 17 mijë, ndërsa viktimat mbi 360. Jashtë vendit deri më tani numërohen 150 persona të infektuar, ndërsa të dielën u shënua viktima e parë jashtë Kinës, në Filipine. Një sërë vendesh kanë vendosur kufizime udhëtimesh duke u mohuar hyrjen vizitorëve që vijnë nga Kina, ose që kanë qenë atje. Disa kanë ndërprerë fluturimet drejt Kinës, pavarësisht se autoritetet ndërkombëtare të shëndetësisë paralajmëruan kundër masave të tilla. Pekini ka kritikuar valën e kufizimeve, duke akuzuar qeveritë e huaja se po shpërfillin udhëzimet zyrtare.
Në Kinë, mobilizimi kundër virusit ka qenë i jashtëzakonshëm dhe një spital i ri u ndërtua në vetëm 8 ditë për të pritur pacientë me koronavirus.
Një godinë e dytë pritet të përfundojë të mërkurën.