Dr. Bledar Kurti
“Edhe sikur ta dija që bota do të shkatërrohej nesër, unë sërish do të mbillja pemën e mollës,” tha Martin Luteri, i cili u nda nga jeta, në këtë ditë, më 18 shkurt 1546 në Eisleben, Gjermani.
Ky mesazh vlen edhe sot, për ne si individë por edhe si shoqëri, që edhe në momentet më të errëta, edhe kur nuk ka më shpresë ne duhet të mbjellim jetë, të kryejmë akte gjallërimi e bukurie, të mposhtim frikën e pesimizmin e të ndërtojmë duke ndikuar në jetën e të tjerëve dhe në bashkësi.
Martin Luter ishte teolog dhe reformator i krishterë gjerman, i njohur si babai i Reformacionit Protestant të shekullit të 16-të. Ai është një nga figurat më me ndikim në historinë e krishterimit
95 tezat e Luterit, të cilat tronditën doktrinën e katoliciznit dhe autoritetin papnor, reformuan kishën, duke rikthyer besimin e krishterë në kishën apostolike, me besimtarët që tashmë kishin një raport të drejtpërdrejtë me Hyjin, pa ndërmjetësime njerëzore apo shenjtorësh, me Biblën si Sola Scriptura, por të përkthyer në gjuhët amtare.
Reformacioni i Luterit bëri që më 3 janar 1521, Papa Leo X të lëshonte urdhrin papal “Decet Romanum Pontificem” duke e shkishëruar Martin Luterin, priftin dhe teologun gjerman.
Më pas Perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake, Charles V, i ofroi Luterit mundësinë të pendohej e të shpëtonte veten nga burgosja apo edhe ekzekutimi. Por Luteri iu përgjigj:
“Unë nuk mund dhe nuk do të heq dorë nga asgjë, sepse të shkosh kundër ndërgjegjes nuk është as e drejtë dhe as e sigurt. Ky është qëndrimi im, nuk mund të bëj ndryshe.”
Përpos përhapjes së menjëhershme të Protestantizmit në trevat gjermane, vendet e ulëta, ato nordike, britanike e më pas në kolonitë amerikane, qëndrimi i Luterit themeloi konceptin e ndërgjegjes së individit në raport me veten, shoqërinë, besimin dhe ideologjinë. Nga ky qëndrim i Luterit ndërgjegjja u bë matësi dhe guida e aktivitetit njerëzor duke çuar ndër epoka lëvizje transformuese, revolucione dhe ideologji sfiduese ndaj shtypjes dhe kontrollit. Kjo është arsyeja që edhe të arrestuarit për shkak të mendimeve apo ideologjive të tyre, apo të burgosurit politik, quhen të burgosur të ndërgjegjes pasi e vënë ndërgjegjen e tyre mbi normat e imponuara apo të diktuara.
Mesazhi i Luterit u integrua e u çimentua në shoqërinë evropiane duke u përhapur edhe më tej, duke i bërë njerëzit e popujt të vetëdijshëm se vetëm peshku i ngordhur shkon me rrymën, dhe se të shkosh kundër ndërgjegjes nuk është as e drejtë e as e sigurt, por është vetëm skllavëri e verbëri.
Sot, ky parim themeltar dhe e drejtë njerëzore aplikohet në vendet e zhvilluara ndaj edhe shohim në mënyrë të vazhdueshme qëndresa popullore ndaj çdo diktimi e imponimi vertikal dhe kjo është arsyeja kryesore pse vendet perëndimore, e sidomos ato protestante, janë të parat në botë për nivelin e demokracisë, e më pak të korruptuarat në renditjen botërore, sepse ndërgjegjja luan rolin themeltar në jetën e individit, qoftë ai apo ajo në pozicione qeverisëse e drejtuese qoftë edhe në ato zbatuese dhe në hallkat e fundit të hierarkisë së pushtetit. Shoqëria shqiptare do jetë më e emancipuar dhe në anën e drejtësisë nëse secili do e dëgjojë zërin e ndërgjegjes së vet duke mos e kompromentuar kurrë atë, e nuk mos shkuar e vepruar asnjëherë kundër saj.
Është dhurata më e çmuar që ne kemi si individë dhe si shoqëri.
Është garantja e vetme e drejtësisë dhe e zhvillimit.