Mbretëresha Elizabeta vlerësoi dedikimin e mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë të shëndetësisë gjatë pandemisë së koronavirusit, në një mesazh me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit. Monarkja, e cila gjendet aktualisht në kështjellën Windsor me bashkëshortin e saj, Princin Filip, falënderoi gjithashtu profesionistët mjekësorë për “përkushtimin vetëmohues”, siç e cilësoi.
Mbretëresha shtoi se kohë të tilla sprove mund të nxjerrin në pah më të mirën e shpirtit njerëzor.
“Dedikimi i punonjësve të shëndetësisë është një shembull për të gjithë ne”, ishin fjalët e sundimtares britanike. Deklarata e saj u publikua përmes një video në llogarinë e familjes mbretërore në Twitter.
Më herët, u tha se Elizabeta po informohej vazhdimisht nga Downing Street lidhur me gjendjen e kryeministrit Boris Johnson, i cili gjendet në terapi intensive pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore nga Covid-19.
Mesazhi i 93-vjeçares erdhi dy ditë pas fjalimit historik të dielën, përmes të cilit i bëri thirrje popullit të bëhej bashkë në luftën kundër Covid-19.