(335-231 p.e sonë)
Rimëkëmbja e shtetit ilir
Shumë shpejt pasi pajtoi fqinjët veriorë dhe Greqinë, Maqedonia u drejtua nga lindja duke e lënë të qetë shtetin ilir. Fqinjësia me Maqedoninë nuk përbënte më atë rrezik serioz dhe ilirët u munduan ta shfrytëzonin gjendjen e krijuar për rimëkëmbjen e shtetit të tyre. Rufi njofton për trazira të reja në Iliri, por duket se ato nuk patën sukses, sepse në vitin 323 p.e.sonë, kur u bë ndarja e perandorisë së Aleksandrit, një pjesë e ilirëve ishte ende nën sundimin e Antipatrit, që u bë mbret i Maqedonisë, i Greqisë, i Ilirisë, i Epirit dhe i popullsive të tjera të pushtuara në Ballkan.
Gjendja e turbullt që u krijua në perandori pas vdekjes së Aleksandrit dhe shthurjes së perandorisë së tij krijoi kushte më të përshtatshme për çlirimin e tokave lindore ilire. Duke u lidhur me armiqtë e Maqedonisë, Glaukia, mbret i taulantëve, arriti t’i çlirojë këto toka dhe t’i bashkojë me mbretërinë e tij. Duket se pas kësaj ai mori edhe titullin “mbret i ilirëve” në vend të titullit të mëparshëm “mbret i taulantëve”.
Pasi realizoi bashkimin e tokave ilire dhe rimëkëmbi shtetin ilir, Glaukia u përpoq të dobësonte ndikimin maqedon në Epir. Për këtë qëllim ai u afrua me mbretin e molosëve, Ajakidin dhe u martua me Berojën, një bijë nga dera mbretërore molose. Në këtë politikë ai u ndesh me të birin e Antipatrit, Kasandrin, që pas shumë përpjekjesh ishte vendosur në krye të Maqedonisë. Në vitin 317 p.e.sonë, Kasandri rrëzoi nga froni molos aleatin e Glaukisë, Ajakidin, i cili kishte ndërhyrë në grindjet e brendshme për fronin maqedon, duke marrë anën e Olimbisë, nënës së Aleksandrit. Në këtë kohë Glaukia mori nën mbrojtje dhe mbajti në pallatin e tij birin e mbretit të rrëzuar, Pirron dyvjeçar. Me gjithë kërkesat këmbëngulëse të Kasandrit, Glaukia nuk e dorëzoi Pirron; ai nuk e bëri këtë as kur mbreti maqedon i premtoi si shpërblim shumën e madhe prej 200 talentesh, as kur ky e kërcënoi me luftë.
Shtrirja e sovranitetit mbi Dyrrahun e Apoloninë
Tre vjet mbas kësaj ngjarjeje, në vitin 314, Kasandri, duke u nisur nga Epiri, sulmoi nga deti Apoloninë, pastaj Dyrrahun dhe u fut në Iliri. Në këtë luftë Glaukia u mund dhe Kasandri u bë zot i dy qyteteve të mëdha të Adriatikut. Trazirat politike e detyruan të kthehej në Greqi pasi la këtu garnizone të fuqishme. Një vit më vonë, më 313 p.e.sonë, Glaukia rrethoi Apoloninë, por pa sukses. Sipas Diodorit, me ndërmjetësinë e spartanëve ai pranoi të heqë rrethimin dhe të përfundojë një traktat paqeje me apoloniatët. Kushtet e paqes nuk dihen dhe as që bëhej fjalë për vendosjen e ndonjë forcë maqedone në qytet; por ngjarjet e mëpastajme, të vitit 312 p.e.sonë, tregojnë se të dy qytetet mbroheshin nga garnizonet maqedone. Në këtë vit apoloniatët dhe dyrrahasit ngritën krye dhe i dëbuan forcat e Kasandrit nga qytetet e tyre. Një rol të veçantë u atribuon Diodori në këtë ngjarje korkyrasve, të cilët kishin ardhur për ndihmë. Sipas tij ata “çliruan Apoloninë dhe Dyrrahun ia dorëzuan Glaukisë, mbretit të ilirëve”. Burimet nuk japin një përgjigje të drejtpërdrejtë për çështjet se përse korkyrasit ua dorëzuan Dyrrahun ilirëve, cili ishte roli i ilirëve në këtë ngjarje, cilat kishin qenë raportet e tyre me Dyrrahun dhe ç’raporte u vendosën me Apoloninë. Megjithatë nuk është vështirë të kuptohet se korkyrasit në këtë rast vepruan si aleatë jo vetëm të apoloniatëve dhe të dyrrahasve, por edhe të ilirëve. Dalja e Maqedonisë në brigjet e Adriatikut cenonte interesat ekonomikë e politikë si të shtetit ilir, ashtu edhe të Dyrrahut, Apolonisë e të Korkyrës, prandaj ato u bashkuan kundër rrezikut maqedon. Dy qytetet e mëdha ishin, siç duket, për ruajtjen e marrëdhënieve të vjetra me shtetin ilir dhe nuk dëshironin t’i nënshtroheshin me dhunë mbretit të Maqedonisë. Dyrrahu duket se kishte qenë para kësaj në duart e ilirëve ose kishte njohur sovranitetin e mbretit ilir. Kundërshtimi që i bënë apoloniatët Glaukisë më 313 p.e.sonë tregon për një mbizotërim të përkohshëm në këtë qytet të një grupi promaqedon, i cili më vonë u përmbys nga kryengritja e qytetarëve që dëbuan forcat e Kasandrit.
Mbreti maqedon u shpejtua të vijë me forcat e tij përsëri para mureve të Apolonisë për të rivendosur gjendjen e mëparshme. Diodori pohon se “apoloniatët ishin lidhur me ilirët”. Megjithatë, nuk dihet nëse ishte kjo një aleancë e thjeshtë ushtarake apo diçka më tepër, por duhet nënkuptuar se ilirëve u ishte caktuar një rol i dorës së parë qëkurse forcat që mbronin qytetin “ishin më të mëdha” se ato maqedone. Kasandri u thye keqas dhe u detyrua të largohej, pasi kishte humbur një pjesë të mirë të ushtrisë. Përpjekjet e tij për t’u ngulur në Ilirinë bregdetare dështuan dhe pas kësaj ai nuk provoi më të kthehej në këto anë.
Luftërat me Kasandrin tregojnë se fuqia e shtetit ilir ishte rritur aq shumë saqë ai mundi të matej me sukses me Maqedoninë për zotërimin e bregdetit Adriatik. Qytetet e mëdha të këtij bregdeti prej kohësh kishin njohur sovranitetin e mbretit ilir; të paktën mbi Dyrrahun ishte vendosur ky sovranitet, por që nga viti 312 p.e.sonë edhe ndikimi mbi Apoloninë nuk duhet të ketë qenë më i vogël, megjithëse pozita juridike e këtij qyteti ndaj shtetit ilir formalisht mund të ketë qenë pak e ndryshme nga ajo e Dyrrahut.
Pas fitores mbi Kasandrin dhe forcimit të pozitës së tij në Dyrrah e në Apoloni, Glaukia u mor me përgatitjen e ekspeditës që do të vinte Pirron në fronin molos. Nuk ishte zemërgjerësia ndaj tij, as lidhjet që kishte me të nëpërmjet së shoqes, Berojës, bijë nga dera molose, ato që e shtynë Glaukinë në këtë ndërmarrje të guximshme. Epiri në këtë kohë ishte pika më nevralgjike e kontaktit dhe hallka më e rëndësishme në kontradiktat iliro-maqedone. Glaukia duhej ta shkëpuste këtë vend nga ndikimi maqedon dhe t’i rikthente shtetit ilir aleatin e humbur. Për këtë qëllim, në vitin 309 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe, ai hyri në Epir dhe pasi mposhti kundërshtimin e grupit promaqedon që përfaqësohej nga mbreti Alketa (ungji i Pirros), vuri në krye të shtetit molos 12-vjeçarin Pirro. Me këtë akt konflikti me Maqedoninë u zgjidh në favor të ilirëve. Veprimtaria politike dhe ushtarake e Glaukisë për rimëkëmbjen e forcimin e pozitave të shtetit ilir u kurorëzua me sukses.
Gjatë sundimit të Glaukisë, shteti ilir jetoi ditë lavdie; ai u bë një shtet i fuqishëm, duke përfshirë në gjirin e tij edhe qytetet Dyrrah e Apoloni. Ai ishte e vetmja forcë serioze që iu kundërvu Maqedonisë në këtë pjesë të Ballkanit, dhe u bë një faktor i rëndësishëm që ushtroi një ndikim të fuqishëm në ngjarjet politike të kohës.
Forcimi i pushtetit mbretëror
Në vitin 302 p.e.sonë Glaukia ishte ende në krye të shtetit ilir. Pas kësaj date ai nuk përmendet më. Periudha që pason është mjaft e errët dhe njihet vetëm nëpërmjet burimeve të fragmentuara, por ndonjëherë tepër të rëndësishme.
Rreth vitit 295 p.e.sonë si mbret i ilirëve përmendet Bardhyli i ri. Rrethanat në të cilat ai u gjend në krye të shtetit ilir dhe marrëdhëniet e tij me Glaukinë, të cilin e zëvendësoi, janë të paqarta. Një lidhje martesore e paraqet Bardhylin si aleat të Pirros.
Plutarku thotë se pas vdekjes së gruas së parë, Antigonës, Pirroja “u martua me shumë gra, për arsye politike dhe për të rritur fuqinë e tij”.
Një ndër to ishte edhe Brikena, bija e Bardhylit, mbretit të ilirëve. Historiani romak Justini dhe shkrimtari romak i shek. I Frontini njoftojnë nga ana e tyre për një fushatë të Pirros kundër ilirëve, në të cilën ai kishte dalë fitimtar dhe kishte pushtuar edhe qytetin që ishte kryeqendra e tyre, pa na thënë emrin e tij. Edhe historiani grek i shek. II Apiani, gjithashtu, i bën jehonë kësaj ngjarjeje, duke thënë se Pirroja zotëronte një pjesë të Ilirisë gjatë bregdetit Jon. Të gjitha këto burime nuk e përcaktojnë, megjithatë, se deri ku u shtri sundimi i mbretit molos mbi tokat ilire dhe si ndodhi që ai i rritur në oborrin e Glaukisë ndërhyri me forcë në shtetin e tij. Pas gjithë këtyre ngjarjeve fshihet një grindje e brendshme midis trashëgimtarëve apo pretendentëve për fronin e Glaukisë, e cila u shfrytëzua nga Pirroja. Por nuk është për t’u përjashtuar edhe pikëpamja sipas së cilës Bardhyli i ri të ketë qenë një pinjoll i Bardhylit I, që vjen në fuqi me ndihmën e Pirros, duke i lëshuar këtij të fundit një pjesë të Mbretërisë Ilire. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si Pirroja u bë zot i krahinave perëndimore të Mbretërisë Ilire, ndofta edhe i Apolonisë, kurse Bardhylit i la krahinat lindore rreth liqenit Lyhnid, ose në perëndim të tij.
Por pushtimi i tokave ilire prej Pirros dhe sundimi i Bardhylit të ri si “mbret i lirëve” mbi një pjesë të shtetit ilir nuk duhet të kenë zgjatur shumë. Pasazhi i Apianit që thotë se këto toka i trashëguan dhe pasardhësit e Pirros bie në kundërshtim me zhvillimin e ngjarjeve të mëpastajme. Grindjet e brendshme për trashëgimin e fronit të Glaukisë duket se u kapërcyen shpejt.
RËNIA E DINASTISË SË GLAUKISË
Gjendja politike në vitet 270-231
Pas luftës së fundit të Mytilit kundër Aleksandrit II të Epirit, në vitin 270, nuk flitet më në burimet për shtetin ilir. Duke zbritur drejt vitit 230 dalin të dhëna të reja mbi këtë shtet.
Megjithëse në vështrimin e parë kjo duket si një periudhë e errët, ajo përbën në vetvete një faqe me shumë interes në historinë ilire. Gjatë gjysmë shekulli, që nga Glaukia deri te Mytili, shteti ilir kishte mundur t’i bënte ballë me sukses agresionit të Kasandrit dhe më pas të Pirros e pasardhësit të tij. Të gjithë këta kishin dështuar në ndërmarrjet e tyre dhe më në fund qenë detyruar të hiqnin dorë prej Ilirisë. Ndërkaq gjendja në Greqi mbetej e paqëndrueshme. Sundimtarët maqedonë, Antigon Gonata dhe i biri i tij Demetri, u gjendën tërësisht të angazhuar në teatrin grek të veprimeve politike e ushtarake për të ruajtur hegjemoninë e Maqedonisë në këto anë.
Për shtetin ilir kjo qe një periudhë qetësie në marrëdhëniet me fqinjët, veçanërisht me Maqedoninë, dhe me këtë duhet shpjeguar edhe heshtja e burimeve. Por nuk qe Gonata ai që “diti, siç pretendohet, t’u imponojë paqen fqinjëve veriperëndimorë”. Burimet nuk bëjnë fjalë për një gjë të tillë. Në qoftë se midis Ilirisë dhe Maqedonisë nuk pati në këtë kohë ndonjë konflikt, kjo duhet shpjeguar më tepër me faktin se ilirët, të lodhur nga luftërat e deriatëhershme, nuk mundnin, pra, edhe nuk kërkuan t’i shfrytëzonin vështirësitë e Maqedonisë në interes të tyre.
Ndërkaq ka të ngjarë që nga mesi i shek. III p.e.sonë ose pak më parë shteti ilir të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë e të cilave nuk njihen mirë. Nuk është çudi që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në zëvendësimin e dinastisë sunduese të Glaukisë me atë të Agronit dhe në shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut Lindor, të Dyrrahut e të Apolonisë, nga shteti ilir.