Mbreti i ri i Anglisë, Charles III, thuhet se dikur kishte refuzuar të mbante emrin e tij për të shmangur lidhjet me historinë e përgjakshme dhe të trazuar të dy paraardhësve, Charles I dhe Charles II. Madhëria e tij dëshironte të quhej George VII për të nderuar gjyshin e tij, një figurë e dashur mbretërore.
Ndërsa paraardhësit me të njëjtin emër, sunduan në disa nga periudhat më të errëta në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.
“Emri Charles është i veshur me kaq shumë trishtim,” – tha një mik i besuar i Charles III, për London Times në vitin 2005.
Charles I
I vetmi monark britanik që u ekzekutua dhe që e çoi vendin në një luftë brutale civile, duke shfuqizuar familjen mbretërore. Charles I, mori fronin në vitin 1625, duke sunduar mbi Anglinë, Skocinë dhe Irlandën.
Ideja e tij se mbretërit kishin të drejta hyjnore, pati shumë kundërshtime dhe parlamentarët nisën ta akuzonin Charles I për sjelljet e tij tiranike. Këto përplasje çuan në shpërthimin e një lufte civile në vitin 1642. Charles nuk pranoi të dorëzohej para kërkesave për një monarki kushtetuese dhe në vitin 1649, ai u dënua dhe u ekzekutua për tradhti të lartë.
Dëshira e tij e fundit para ekzekutimit ishte të vishej trashë dhe të mos ndjente të ftohtin. “Është aq ftohtë sa ndoshta mund të dridhem, por disa mund të mendojnë se po dridhem nga frika dhe jo nga i ftohti,” – shkroi ai.
Pasi tha një lutje, Charles i bëri shenjë xhelatit, identiteti i të cilit nuk dihet deri më sot, dhe iu pre koka me një goditje. Shumë qytetarë njomën shamitë e tyre me gjakun e mbretit. Fill pas kësaj ngjarje, monarkia u shfuqizua dhe Anglia u bë Republikë me në krye Oliver Cromwell.
Charles II
Charles II, pas ekzekutimit të të atit Charles I, u transferua në Hagë dhe kaloi gati dy dekada në mërgim. Ai u ngjit në fron vetëm pas vdekjes së Cromwell në vitin 1658, megjithatë si Mbret i Skocisë u kurorëzua më 1 janar 1651.
Nga frika e një pushtimi nga forcat republikane angleze, Charles II dhe mbështetësit e tij filluan një pushtim të Anglisë. Ajo përfundoi me humbje në Betejën e Worcester-it, por Charles arriti t’i fshihej autoriteteve për gjashtë javë, duke u arratisur në Francë.
Zyrtarisht, Charles II u kthye si mbret në fuqi në vitin 1660. Monarku hodhi poshtë shumë nga rregullat konservatore të vendit. Ai ishte “i sjellshëm, mirënjohës, bujar, tolerant dhe në thelb i dashur”, shkroi historiania Antonia Fraser.
Gjatë mbretërimit të tij, u zgjeruan kolonitë dhe u zhvillua tregtia me Indinë dhe Amerikën. Atij gjithashtu iu desh të përballej me dy kriza të mëdha, si Murtaja e Vdekjes së Zezë në vitin 1665 dhe Zjarri i Madh i Londrës, një vit më vonë.
Charles II vdiq më 6 shkurt 1685 në moshën 54-vjeçare, duke i lënë fronin vëllait të tij, James II.