Bota Mbyllen deri në verë universitetet në Turqi

Mbyllen deri në verë universitetet në Turqi

Veç hoteleve në zonat bregdetare, edhe konviktet e studentëve do të presin të pastrehët nga tërmeti.

Teksa pa nga afër situatën në qytetin Diyarbakir, një nga më të prekurit nga lëkundjet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 të shkallës Rihter, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan urdhëroi që universitetet të mbyllen deri në verë. Mësimi për studentët do të vijojë online si në kohën e pandemisë.

“Kemi vendosur që të gjitha universitetet të mbyllen deri në verë. Konviktet ku qëndrojnë studentët janë në dispozicion të qytetarëve që janë prekur nga tërmeti. Janë kthyer të gjitha në qendra pritëse për të pastrehët. Do të nisë transporti i qytetarëve duke i larguar nga çadrat dhe kontejnerët. Për ata persona që duan të jetojnë në një banesë të re do t’ju mundësojmë që të vijojnë jetën e tyre duke u dhënë bonusin e qerasë”.

Erdogan përsëriti edhe njëherë se banesat e reja në zonat e goditura nga lëkundjet do të përfundojnë brenda një viti. Turqia është në zi kombëtare deri të dielën ndërsa për 3 muaj është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.