Bota Rreth 25 mijë viktima nga tërmeti, në pranga 14 ndërtues në Turqi

Rreth 25 mijë viktima nga tërmeti, në pranga 14 ndërtues në Turqi

Të paktën 14 persona u arrestuan në Turqi për neglizhencë të dyshuar në lidhje me ndërtesat e shembura pas tërmetit në provincat jugore, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”.

Gjithashtu, prokurorët po kërkojnë arrestimin e 33 personave të tjerë në qytetin e Dijarbakırit të akuzuar si përgjegjës për “defekte të ndërtimit”, si heqja e kolonave të betonit për të liruar hapësirën.

“Shumica e të arrestuarve ishin kontraktorë. Njëri prej tyre u kap në aeroportin e Stambollit ndërsa po përpiqej të largohej në Mal të Zi”, tha “Anadolu”.

Ndërkohë, rreth 25 000 viktima u regjistruan pas tërmeteve në Turqi dhe Siri.

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se të paktën 20 665 njerëz humbën jetën dhe 80 052 të tjerë u plagosën nga dy tërmetet e forta që goditën pjesën jugore të vendit.

Siria numëron deri tani mbi 3 553 viktima.

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6, me qendër në provincën Kahramanmaraş, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 10 provinca, përfshirë gjithashtu provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanlıurfa.

Ministri Koca tha se ”rreth 20 mijë njerëz u shpëtuan nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara dhe janë zhvendosur në provinca të tjera nëpërmjet transportit ajror, tokësor dhe detar”.

Autoritetin për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) tha në një deklaratë se të paktën 159 146 personel i kërkim-shpëtimit po punonte në terren.

AFAD gjithashtu njoftoi se 7 716 personel nga vendet e huaja u dërguan gjithashtu në zonën e fatkeqësisë.

Ministria e Jashtme njoftoi se 97 vende kanë ofruar ndihmë dhe se ekipet e kërkim-shpëtimit nga 61 vende po vazhdojnë aktualisht përpjekjet e tyre në terren.