Aktualitet Mbyllen hetimet për masakrën e Don Boskos, dërgohet për gjykim Nikoll Sherrniku

Mbyllen hetimet për masakrën e Don Boskos, dërgohet për gjykim Nikoll Sherrniku

Nikoll Sherrniku dhe Mimoza Paja

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin ndaj Nikoll Sherrnikut, i dyshuar si i përfshirë në sulmin e armatosur ndaj lokalit të Fatjon Muratit në “Don Bosko”, ku u vra banakierja Mimoza Paja dhe u plagosën 5 vetë të tjerë.

Sherrniku, lidhje shoqërore e Ervis Martinajt, akuzohet për veprën e penale të “krijimit të kushteve për të kryer vrasje”. Sipas prokurorisë, Sherrniku është personi që ka siguruar targat që mbante automjeti “BMW” i përdorur nga atentatorët në ngjarjen e shënuar mbrëmjen e 12 marsit të këtij viti.

Hetimi ka zbuluar se i dyshuari Sherrniku, ka qenë në masën e “arrestit në shtëpi” për një çështje tjetër penale, kur ka udhëtuar drejt Gjermanisë. Gjatë hetimit Prokuroria e Tiranës ka siguruar dëshminë e një shtetasi kosovar, pronar i një servisi në Gjermani, që tregon se Sherrniku i ka marrë tre targa.

I njëjti fakt është provuar edhe nga deklarimet e një shtetasi tjetër kosovar. Më pas, një person nga Fushë Kuqja, lidhje miqësore e Sherrnikut, ka deklaruar para prokurorëve se targat në Gjermani i kishte marrë me porosi të Ervis Martinajt, pasi i nevojiteshin për t’iu shmangur policisë

Vetë Sherrniku ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me atentatin në “Don Bosko”, pasi në atë kohë ka qenë në qeli.