Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbyllur fazën e marrjes në pyetje të 22 kandidatëve prokurorë për Strukturë e Posaçme Anti Korrupsion. Të fundit që mbyllën fazën e intervistimit ishin prokurorët Vladimir Mara, Dritan Prenci, Ndini Tavani dhe Maksim Sota.
Vrasja e bankierit Artan Santo, hetimet e çështjes së Bankës së Shqipërisë, dosja 339 me 74 të pandehur, hetimet mbi grupet kriminale në Tepelenë si dhe sekuestrimi i një sasie të madhe heroine në Kosovë, kanë qenë disa nga çështjet që këta prokurorë kanë hetuar.Ndini Tavani mban aktualisht detyrën e Kryetarit të Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe Prokuror në Njësinë Anti Korrupsion në Tiranë. Ai ka qenë pjesë e grupit hetimor që ka ndjekur vrasjen e bankierit Artan Santo. Konkretisht Prokurori Tavani është marrë me hetimin e veprimtarisë së punës së Bankës Credins ku ishte aksioner Santo si edhe transaksionet që janë bërë nga kjo bankë. Po kështu ai ka qenë prokuror edhe në çështjen e Bankës së Shqipërisë. Pyetjet për të lidhen me çfarë cilësish do të sjell prokurori Tavani në SPAK, çfarë do të thotë SPAK në botëkuptimin e tij juridik dhe njerëzor.