Italia është vendi i tretë në botë pas Kinës dhe Koresë së Jugut për numrin e të infektuarve nga koronavorusi. Katedralja “Duomo”, “Scala” dhe “Piccolo”, tre vendet simbolike në Milano të Italisë janë mbyllur, ndërsa qyteti po përgatitet për ditën e parë të izolimit. Veriu po izolohet për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, ndërsa 165 persona janë infektuar, ndërsa ditën e sotme u shënua viktima e 4-të. Mediat fqinje raportojnë se viktima e radhës është shënuar në Bergamo, një burrë 85-vjeçar.
“Qëllimi është që të mbrojmë shëndetin e popullit”, deklaroi kryeministri italian Giuseppe Conte, pas një takimi të shtabit të krizës me autoritetet civile të mbrojtjes në këtë vend. Rajonet më të prekura nga virusi COVID-19 do të rrethohen. Popullata nuk do të lejohet të futet dhe as të dalë nga këto zona. Banorët e zonave të rrezikuara mund të lëvizin vetëm në “rastet e veçanta”.
Ai që përpiqet t’i kalojë barrierat, cënohet nga ndjekja penale, theksoi kryeministri. Ai megjithatë kërkon një mirëkuptim të popullatës së atjeshme. Conte ka paralajmëruar mbylljen e sipërmarrjeve dhe shkollave, si dhe ndalimin e tubimeve masive. Qeveria italiane ka ndaluar ndërkohë edhe karnavalet në Venecia. Ndalimi i lëvizjeve në zonën e Shengenit deri tani nuk është parashikuar, theksoi kryeministri.
Shtetrrethimi është në gjysmë të rrugës, shkollat janë mbyllur, por transporti funksionon, diskotekat dhe pub-et duhet që të mbyllen në orën 18:00 për t’u rihapur të nesërmen në 6:00, por restorantet do të qëndrojnë të hapura.
Objektivi është që të zvogëlohen rastet ku të grumbullohen njerëzit. Mes këtyre preket edhe tradita e milanezëve e njohur si “happy hour”, kështu që lokalet duhet të mbyllen në orën 18:00. Sipas njoftimeve të para, këto rregulla do të qëndrojnë për 7 ditë, por mund të shkojë deri në 14, të barabartë me dy javët e inkubacionit të koronavirusit.
Masat e marra janë të ndryshme, në zonat e kuqe, aty ku është dalluar shpërthimi i infeksionit janë më të rrepta dhe më të lehta në zonat e cilësuara si të verdha, ku qëllimi është të zvogëlohet prezenca e njerëzve.
Në zonat “vatër” të virusit, ndalohet hyrja dhe dalja: zonat do të menaxhohen nga policia dhe, nëse është e nevojshme, edhe nga ushtria me sanksione penale për shkelësit. Në komunat e provincës së Lodi-t, veprimtaritë tregtare të supermarketeve, dyqaneve ushqimore dhe atyre që lidhen me transportin e ushqimit kanë pezulluar punën. Për pjesën tjetër të rajonit, urdhri i nënshkruar nga Guvernatori Attilio Fontana ka të bëjë kryesisht me shkollat.
Ndërkohë shumë ndeshje të Serisë A janë pezulluar, ndërkohë edhe derbi i Italisë, Juventus-Inter, po parashikohet të luhet pa tifozë.