Rregullatorët konfiskuan bankën “First Republic” mëngjesin e së hënës dhe gjithë depozitat dhe pasuritë e saj u blenë nga banka “JP Morgan Chase”, në një përpjekje për të shmangur një krizë të mëtejshme bankare në Shtetet e Bashkuara.
Kjo është banka e tretë e mesme amerikane që dështon brenda dy muajsh.
Banka “JPMorgan Chase” do t’i paguajë Korporatës Federale të Sigurimit të Depozitave një shumë prej 10.6 miliardë dollarësh, në kuadër të marrëveshjes për blerjen e shumicës së pasurive të bankës me bazë në San Francisko, “First Republic”, raporton Zëri i Amerikës.
Ky është dështimi i dytë më i madh bankar në historinë e Shteteve të Bashkuara, pas atij të bankës “Washington Mutual”, e cila falimentoi në kulmin e krizës financiare të vitit 2008.
Edhe atë e pati blerë banka “JP Morgan Chase”.
“Qeveria nga ftoi ne dhe të tjerët që të veprojmë dhe ashtu bëmë”, tha Jamie Dimon, Drejtori Ekzekutiv i Bankës “JPMorgan Chase”.
Banka “First Republic” ndodhej në krizë që pas falimentimit në mars të bankave “Silicon Valley” dhe “Signature”, mes shqetësimeve në rritje të investitorëve dhe depozituesve se ajo mund të falimentonte për shkak të numrit të lartë të depozitave të pasiguruara dhe kredive me norma të ulëta të interesit.
Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave tha të hënën se 84 degët e bankës “First Republic” në tetë shtete, do të rihapen si degë të bankës “JP Morgan Chase” dhe se depozituesit do të kenë qasje të plotë në paratë e tyre.
Rregullatorët u angazhuan gjatë fundjavës për të gjetur një zgjidhje para hapjes së tregjeve të aksioneve në Shtetet e Bashkuara.
Sipas autoriteteve, deri më 13 prill, pasuritë e bankës “First Republic” kishin vlerën e 229 miliardë dollarëve, ndërsa numri i përgjithshëm i depozitave ishte 104 miliardë dollarë.
Në fund të vitit të kaluar, Rezervat Federale e renditën atë si bankën e 14-të më të madhe tregtare amerikane.
Korporata Federale për Sigurimin e Depozitave tha se fondi i saj i siguracionit do të pësojë një humbje prej 13 miliardë dollarësh, për shkak të marrjes nën administrim të bankës “First Republic”.
Ndërhyrja për bankën “Silicon Valley” i kushtoi fondit të sigurimit një vlerë rekorde prej 20 miliardë dollarësh.
Para dështimit të bankës “Silicon Valley”, banka “First Republic” kishte fitime që lakmoheshin nga e gjithë industria.
Klientët e saj, kryesisht të pasur dhe të fuqishëm, rrallë dështonin të paguanin kreditë e tyre.
Shumë nga fitimet e bankës vinin nga kreditë me norma të ulëta për të pasurit, në mesin e të cilëve edhe shefi ekzekutiv i platformës Meta, Mark Zucherberg.
Banka “First Republic” përjetoi dyfishim të pasurive totale nga 102 miliardë dollarë që kishte në fund të tremujorit të parë të 2019-ës, kur numri i punonjësve të saj ishte 4 mijë e 600.
Por shumica dërrmuese e depozitave të saj, ngjashëm me ato të bankave “Silicon Valley” dhe “Signature”, ishin të pasiguruara. Ky ishte shqetësimi më i madh i analistëve dhe investitorëve.
Nëse banka do të falimentonte, depozituesit e saj mund të mos i merrnin të gjitha paratë e tyre.
Kjo frikë u ndje në tremujorin e fundit. Banka tha se depozituesit tërhoqën mbi 100 miliardë dollarë gjatë krizës së prillit./VOA