Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin e një dite më parë për mbylljen e kolegjit turk.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se pas vendimit për mbylljen e kolegjit nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një licence shkolle si plot të tjera më parë
“Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një licence shkolle si plot të tjera më parë”, shkruan Rama në Twitter.
Sipas Ramës, shkolla në fjalë është gjetur në shkelje ligjore gjatë dy verifikimeve, shkelje për të cilat ligji parashikon heqjen e licencës.
“Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standardet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e licencës. Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi”, shkruan Rama.
Qeveria e mori vendimin për mbylljen e shkollës të enjten gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave. Sipas vendimit, vetë shkolla “Mehmet Akif” ka detyrimin të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, i cili do të shërbejë për transferimin e nxënësve në një institucion tjetër arsimor.
Gjithashtu shkolla ka detyrimin të mbulojë shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, si dhe të kthejë pas pagesat e kryera nga prindi për nxënësit.