Kryeministri Edi Rama tha se është gati akti normativ për lokalet dhe restorantet që të mbyllen dhe nëse kundërshtojë ato do të sanksionohen.
Kryeministri gjithashtu bëri thirrje që të gjithë qytetarët të zbatojnë masat me rigorozitet. Sipas tij, shteti shqiptar është duke e përballuar situatën me masat që vijnë sipas një ritmi të caktuar dhe ka të gjitha kapacitetet për të përballuar këtë situatë.
Shefi i qeverisë iu përgjigj edhe masave ekonomike të propozuara nga opozita duke u shprehur se qeveria do ta përballojë këtë situatë:
“Kjo situatë nuk do të zgjasë pafundësisht, përsa i përket zinxhirit të prodhimit askush nuk këshillon masa drastike, aq më tepër që jemi në një kurbë rritje.
U takon kompanive dhe sipërmarrjeve që të marrin masat dhe të bëjnë shkurtimet e nevojshme, uljes së numrit, distancave të sigurta. Nga maskat, dorezat, tek detergjentët pranë tavolinës së punës dhe kështu me radhë. Dallimi është çfarë ndodh në një autobus dhe në një vend pune që ka një zot.
Kreditë e bizneseve dhe njerëzve po diskutohen, por është e pamundur, qesharake, skandaloze dhe kriminale që të dalë një palë tjetër dhe të shfaqet në këtë mjedis dhe të flasë sot se çfarë duhet të bëjmë për masat financiare dhe ekonomike që i takojnë një dite më pas. Sikur ndodhi me tërmetin, iu siguroj se do ia dalim edhe me këtë” – tha Rama.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se për fat të keq parashikojnë qindra të prekur në Shqipëri nga koronavirusi. Por për të parandaluar këtë situatë, ajo u kërkoi qytetarëve që të zbatojnë rregullat me seriozitet maksimal: “Ne kemi disa skenarë, parashikojmë disa qindra të prekur në Shqipëri, që padyshim duhet t’u ofrojmë mundësi të marrin shërbimin, por nëse nuk i zbatojmë rregullat, nëse nuk merr masat e duhura, vendos në rrezik sistemin shëndetësor, pasi nuk e përballon fluksin në spitale për rastet që duhet të trajtohen. Sistemi duhet të trajtojë të gjitha rastet për sëmundjet e tjera. Sa më shumë të zbatojmë masat do të kemi më pak kosto. Duhet të reflektojmë mbi sjelljen individuale” – tha ministrja.