Qeveria Federale amerikane filloi mbylljen e pjesshme të operacioneve të saj.
Rreth një e katërta e qeverisë mbeti pa fonde ne mesnatën ndërmjet të premtes dhe të shtunës.
Më shumë se 800 mijë vende pune janë mbyllur dhe gjysmës së punonjësve u kërkohet të punojnë pa pagesë.
Senati amerikan dhe Dhoma e Përfaqësuesve, dështuan të premten vonë të miratojnë një projektligji federal të shpenzimeve që do t’i siguronte presidentit Donald Trump, 5 miliardë dollarë, që ai këmbëngul se nevojiten për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit me Meksikën.
Ligjvënësit kishin afat deri në mesnatë të gjenin rrugëdaljen për të siguruar financimin e qeverisë.
Udhëheqësit e demokratëve në Kongres, Chuck Schumer dhe Nancy Pelosi, lëshuan një deklaratë të përbashkët të shtunën, në të cilën thuhet se “demokratët u ofruan republikanëve disa propozime për të mbajtur të hapur qeverinë, përfshirë atë që tashmë e ka miratuar Senatin njëzëri dhe të gjitha këto përfshijnë fonde për siguri më të fortë dhe të frytshme të kufirit – jo muret e pafrytshme dhe të shtrenjta të presidentit. Nëse presidenti Trump dhe republikanët zgjedhin të vazhdojnë këtë mbyllje të qeverisë, shumica e re demokrate do të kalojë me shpejtësi legjislacionin për të ri-hapur qeverinë në janar”.
Presidenti Trump, publikoi të premten një video në rrjetin Twitter duke thënë se “do të kemi mbyllje të qeverisë. Nuk mund të bëjmë më asgjë për këtë”.