Ka nisur me debate seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Dy grupimet e Partisë Demokratike kanë bllokuar foltoren dhe kanë kërkuar që i pranishëm në interpelancë për çështjen McGonigal, të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
“Kryeministri duhet të vijë e të japë përgjigje për një aferë personale. Nuk ka kuptim seanca. I doli tjetër skandal me avion personal dje, i njëjti kryeministër është. Nuk mund të bëjmë sikur ka seancë normale kur nuk respektoni të drejtat e deputetëve. Duhet t’i japim kuptim parlamentarizmit. Nuk bëhet interpelancë pa kryeministrin sot, çfarë Parlamenti është ky?”, u shpreh deputeti demokrat Ervin Salianji.
Në të njëjtën linjë edhe deputetja Jorida Tabaku: “Disa nga ne e kanë seriozisht Parlamentin. Javën e kaluar, ju hoq fjala gjysmës së këtij Parlamenti për të diskutuar akte të rëndësishme. Nuk mund të kthehet Parlamenti në zyrë të qeverisë. Sot, qytetarët dhe deputetët e opozitës kanë nevojë për transparencë. Kush po gënjen? Ne? FBI-ja? Ju? Nuk besoj se mund të fshiheni përjetësisht. Ligjet e tjera, për florën dhe faunën janë të rëndësishme, edhe mekanizmi i BE për mbrojtjen civile është i rëndësishëm, por lërini deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre”.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u përgjigj se gjithçka është bërë nga Parlamenti sipas rregullores.