Ish-kreu i kundërzbulimit për zyrën e FBI-së në Nju Jork Charles McGonigal e deklaroi veten fajtor këtë të martë për akuzën e komplotit për lidhjet e tij me një oligark rus të sanksionuar në vitin 2021. Veterani 22-vjeçar i FBI-së, i cili doli në pension në vitin 2018 pranoi fajin se kishte shkelur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencave për pastrim parash. Ai bëri një marrëveshje me prokurorët e Nju Jorkut.
CNN kujton se ai u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy në janar dhe ndaj tij u ngritën 2 aktakuza të veçanta, njëra në Nju Jork dhe tjetra në Uashington DC. Ai u akuzua se kishte punuar me oligarkun rus të sanksionuar Oleg Deripaska dhe për fshehjen e qindra mijëra dollarëve që kishte marrë nga një ish-punonjës i një agjencie të inteligjencës shqiptare kur ishte zyrtar i lartë në FBI.
Pas pranimit të fajit për akuzën e lidhjeve të tij me oligarkun rus pritet që të ketë zhvillime edhe në aferën që e lidh atë me Shqipërinë. Avokati i McGonigal, Seth DuCharme i tha një gjykatësi federal në Uashington se ata mund të zgjidhin çështjen e lidhur me Shqipërinë deri në fund të muajit.
McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë. Sipas aktakuzës, zyrtari i FBI ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe është takuar me Ramën në disa prej këtyre vizitave. Aktakuza në D.C. vëren se “as FBI dhe as McGonigal nuk pagoi për hotel ndërsa gjendej në Shqipëri.”
Në gjykatë këtë të martë, McGonigal iu përgjigj një sërë pyetjesh në lidhje me skemën e paligjshme që kishte ngritur me Deripaska. Në gjykatë, McGonigal, tha se ishte “thellësisht i penduar” për veprimet e tij.
“Unë paraqitem para jush në këtë gjykatë për të marrë përgjegjësinë e plotë pasi veprimet e mia nuk synonin kurrë të lëndonin Shtetet e Bashkuara, FBI-në, familjen dhe miqtë e mi”, – tha ai, duke u dukur ndonjëherë edhe paksa emocional.
“Kam rënë dakord me një palë tjetër për të mbledhur informacion nënçmues për një oligark rus të quajtur Vladimir Potanin i cili ishte një konkurrent biznesi i Oleg Deripaska. E dija se Deripaska ishte vendosur në listën e sanksioneve nga qeveria amerikane. Unë e kuptoja se informacioni që mblodha në fund do të përdorej për ta futur Potanin në listën e sanksioneve të SHBA-së. E kuptova që puna që bëra do t’i jepte njëfarë përfitimi Deripaska-s dhe sipas ligjit të SHBA-së, nuk duhej t’i ofroja asnjë shërbim Deripaskës, qoftë edhe indirekt” – tha ai.
McGonigal tani mund të përballet me një dënim maksimal prej 5 vjetësh. Vendimi për të do të jepet më 14 dhjetor. Avokatët e tij treguan se do t’i kërkojnë gjykatësit të marrë në konsideratë informacionet e klasifikuara të lidhura me punën e McGonigal për qeverinë amerikane përpara se të japë dënimin e tij.