Shqiptarët në veri të Kosovës janë kundërpërgjigjur ndaj protestës së Listës Serbe që ka nisur në orën 12:00 të ditës së sotme pasi kryetarët e komunave me shumicë serbe dhanë dorëheqjen nga postet e tyre.
Në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, një numër i lartë shqiptarësh kanë dalë me flamuj kuqezi në duar për të treguar se nuk kishin ndërmend të largoheshin prej vendlindjes së tyre, pavarësisht tensioneve të ngritura me Serbinë për shkak të marrëveshjes së targave.
Njëri nga organizatorët e këtij aktiviteti, tha për T7 se me këtë veprim duan të tregojnë se shqiptarët janë aty dhe nuk kanë ndërmend të largohen nga qyteti.
“I kemi qitë flamujt me tregu që jemi këtu, nuk jemi duke shku”, tha ai.
Serbët, ndërkaq, janë mbledhur pranë shtatores së Car Lazarit me flamuj serbë në duar e duke kënduar këngë nacionaliste.