Kryesore Qëndrimet e Berishës për emigrantët në “Daily Mail”, Rama: Turp!

Qëndrimet e Berishës për emigrantët në “Daily Mail”, Rama: Turp!

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar kreun e PD, Sali Berisha për deklaratat e tij rreth emigrantëve shqiptarë të publikuar nga tablodi britanik Daily Mail.

Përmes një posimi në Twitter, Rama shprehet se vetëm ‘shërbëtorët e së keqes mund të lëshojnë në gjuhë të huaj deklarata të tilla kundër Shqipërisë’.

“Vetëm shërbëtorët e së keqes, jashtënxjerrjet e një kombi, pjellat e mbrapshta të sojit të lig që e ndjek pas si hija e një mallkimi këtë vend qysh prej 1912-ës, mund të lëshojnë në gjuhë të huaj deklarata të tilla kundër Shqipërisë!”, shkruan Rama.

“Kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha, tha se ky zbulim ka vënë në dijeni bosët e krimit se janë nën vëzhgim dhe tashmë do të largohen nga vendi. Ky është një moment kur Shqipëria është kthyer në vendin më të rrezikshëm në Ballkan dhe Evropë”, – thuhet në artikullin e Daily Mail të cituar nga Rama.

Pak ditë më parë, kreu i PD i cilësoi të papërgjegjshme deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj qeverisë britanike, e cila sipas këtij të fundit po përdor emigrantët shqiptarë si kokë turku për dështimet e veta në menaxhimin e kufirit.