Rritja brutale e bosit më të fuqishëm në botën e nëndheshme meksikane. Ndryshe nga El Chapo, nuk vrapon pas femrave dhe luksit, por investon shumë para në krijimin e forcave paraushtarake
Është një prej bosëve më të fuqishëm të momentit në botën e nëndheshme meksikane. Por edhe pse është më brutal dhe i pamëshirshëm sesa El Chapo, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur ndryshe si El Mencho, mund të mos përfundojë kurrë para drejtësisë.
Në një intervistë për “The Sun”, Mike Vigil, ish-shefi i DEA-s amerikane, e cila prej dekadash tashmë është vënë në gjueti të bosëve të karteleve meksikane të drogës, thotë se El Mencho tashmë ka shumë më tepër pushtet sesa kishte El Chapo. Ai ka një ushtri të armatosur “deri në dhëmbë” për të mbrojtur perandorinë e tij me vlerë 1 miliardë dollarë, thotë Vigil.
“Do ta përshkruaja si një njeri tej mase të dhunshëm, shumë dinak, por jo fanatik si pjesa më e madhe e trafikantëve të drogës”, thotë Vigil.
Aktet e dhunës që anëtarët e kartelit të tij, të quajtur Jalisco Nueva Generacion, janë krahasuar me ato të ISIS në Lindjen e Mesme. Rrëfimet për sulme të tipit terrorist, apo për tortura çnjerëzore që i bëhen rivalëve, duke u shkulur zemrën, hedhur në acid, apo duke i varë në mes të qytetit, kanë shërbyer për të rritur reputacionin e El Mencho-s.
Shpesh, ushtria e tij private ka sfiduar edhe ushtrinë e mirëarmatosur meksikane. Ai është krimineli më i kërkuar nga DEA, e cila ofron 10 milionë dollarë shpërblim për këdo që ndihmon në kapjen e tij.
Vigil e ka vëzhguar nga afër El Mencho-n dhe kartelin e tij. “Është vdekjeprurës si një gjarpër me zile dhe shumë më vrastar se El Chapo”, thotë ai. “Ai është shumë ndryshe nga El Chapo, nuk vrapon pas femrave dhe luksit, por investon shumë para në krijimin e forcave paraushtarake të cilat lëvizin me mjete të blinduara. Shumë trafikantë investojnë në qendra tregtare, ferma, bizhuteri dhe pasuri të patundshme. Por El Mencho investon te njerëzit e tij dhe vetëm sa i shton radhët e kartelit Jalisco Nueva Generacion”.
Ai beson se një person i tillë kaq paranojak, vështirë se do të arrestohet ndonjëherë. “Mbrohet shumë dhe nuk shoh ndonjë shpresë për kapjen e tij tani shpejt. Ai qëndron maksimalisht dy netë në të njëjtin vend dhe lëviz i rrethuar me një shpurë të madhe dhe pajisur me armatime të rënda. Për më tepër lëviz nëpër male dhe kjo i vështirëson shumë punën për arrestimin e tij. El Chapo nisi të bënte gabime, njëri prej tyre ishin femrat. Kjo solli edhe arrestimin e tij. Ndërsa El Mencho nuk i ka këto fiksime, është tepër i dhënë pas bashkëshortes. Tregon gjithmonë shumë kujdes”.