Një sasi kokaine është sekuestruar sot në Portin e Durrësit. Sasia e kokainës është gjetur pas kontrolleve të imtësishme që u është bërë kontenierëve të një firme bananesh që po shkarkoheshin.
Kokaina vinte nga Ekuadori dhe ishte e ndarë në 200 pako, ndërsa u zbulua pas kontrollit me skaner.
Droga ishte fshehur në tavanin e kontejnerit e ndarë në 200 pako të mbështjella me natriban dhe me mbishkrime përcaktuese si dhe fotografinë e trafikantit Pablo Escobar. Në pakot e kokainës ishte shkruar në spanjisht ‘El Mejor” (më e mira) dhe ‘Viejon’ (i moshuar), teksa kishte si imazh Pablo Escobar.
Ngarkesa iu nënshtrua skanerit, pasi u vlerësua si një kontejner me risk. Kontejneri ku u gjet droga është shkarkuar nga anija e kontejnerëve ”Dance”, anije me flamur portugez që vinte në Durrës pas ndalesës në portin grek të Pireut. Burime nga grupi hetimit thonë se rasti konkret është zbuluar falë bashkëpunimit nga partnerët e huaj.
Policia ka shoqëruar Klajdi Xibrakun, një prej aksionerëve të shoqërisë “Massabi Fruits” që kishte porositur kontejnerin. Ka qenë Xibraku që ka shkuar në port pasi është njoftuar, fillimisht për procedurat e zhdoganimit.