Afërdita Suka, deputetja shqiptare e sapo-zgjedhur në landin e Berlinit në Gjermani është shprehur për Euronews Albania se ka pasur edhe mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë atje gjatë garës politike.
“Kanë qenë gjithmonë pranë meje dhe kanë besuar se do të fitoj. Kandidatura ime ka ndikuar shumë si mobilim i shqiptarëve, jo vetëm të shkojnë të votojnë por edhe të interesohen për politikën”, u shpreh ajo.
Znj. Suka tregoi se nën siglën e të Partisë së Gjelbër, ka marrë rezultate shumë të mira.
“Po patjetër do jem në parlament. Unë do të përfaqësoj në landin e Berlinit zonën ku jam zgjedhur”, tregoi ajo.
Znj. Suka renditi edhe çështjet me të cilat do të fokusohet puna e saj, si rritja e çmimeve të banesave, përmirësimi i cilësisë së arsimit, përmirësimi i shërbimit në shëndetësi dhe mbrojtja e ambientit.