Një person me motorr, me skafandër në kokë, është autori i vrasjes së 57-vjeçarit Ismet Çekorja. Kjo është ajo çfarë kanë evidentuar kamerat e sigurisë në vendngjarje, në lagjen “Guerrilë”, aty ku ekzekutua me 7 plumba pistolete 57-vjeçari Ismet Çekorja.
Burime pranë grupit hetimor në Policinë e Shkodrës bëjnë me dije se drejtuesi i motorçikletës ka mbërritur me motorr pranë vendit të ngjarjes, është ndalur, ka qëlluar ndaj 57-vjeçarit dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Për shkak të skafandrës, është i pamundur identifikimi i autorit të ngjarjes por blutë e Shkodrës kanë bërë edhe sekuestrimin e kamerave të tjera të sigurisë në segmente të tjera, për të parë nëse në ndonjë moment ai ka çeduar duke hequr skafandrën, çka do të bënte të mundur identifikimin e tij.
Ngelet ende enigmë nëse 57-vjeçari është thirrur, nga një person për të dalë nga banesa edhe pse në momentin e ngjarjes, ai ka qenë disa metra larg banesës së tij pranë një dyqani të vogël duke konsumuar një birrë.
Ndërkohë nga ana tjetër, Policia e Shkodrës ka shoqëruar deri tani 8 persona në ambientet e komisariatit si dëshmitarë në vendin e ngjarjes dhe persona që kanë dijeni për këtë atentat. Në personat që janë shoqëruar nga Policia për të dhënë dëshmi, është edhe 25-vjeçari Alban Bruçi së bashku me të atin e tij.
Policia në një nga pistat e hetimit ka atë të hakmarrjes dhe për këtë arsye ka thirrur për të dëshmuar edhe Alban Bruçin, i cili i shpëtoi atentatit mbrëmjen e 25 Gushtit.
Megjithatë, policia ka ngritur disa pista hetimi në lidhje më këtë ngjarje sepse nuk përjashtohen edhe pista të tjera hetimi pasi djali i tij ka qenë dy herë i ndaluar nga autoritetet ndërkohë që ka qenë i përfshirë në disa ngjarje në Shkodër.