Kryesore E vërteta surprizuese për shqiptarët në Britani

E vërteta surprizuese për shqiptarët në Britani

Olti Bokçiu, bashkëpronar i ‘Illyrian Grill House’, një restorant shqiptar në Palmers Green, me dy punonjëset e tij

Jonathan MargolisThe Telegraph

Në një bllokim trafiku në M4, një fuoristradë e zezë Mercedes vihet pranë meje. Nëpër xhamat e tij të lyer, shoh shoferin që mban syze të errëta. Ai duket pak i keq. Ndërsa ai ecën përpara, vërej targat që e identifikojnë makinën si shqiptare. Ai mund të ketë qenë kirurg ose profesor, por unë edhe mund ta paragjykoj.

Më kujtohet vizita ime e parë në Shqipëri në vitin 1985, kur ishte Koreja e Veriut e Europës, pa makina të tjera përveç atyre të zyrtarëve të lartë të Partisë Komuniste. Udhëtimet ishin gjithashtu të ndaluara, pantallonat ngjyrë kafe të shtetit, e vetmja veshje e lejuar për burrat, dhe të folurit me një të huaj dënohej nga policia e tmerrshme e Sigurimit të Shtetit.

Udhëheqësi i Shqipërisë, një duhanxhi i kthyer në revolucionar, Enver Hoxha, i konsideroi Bashkimin Sovjetik dhe Kinën si vende komuniste të pamjaftueshme dhe e ktheu vendin e tij në një post të izoluar, paranojak. Në fund të viteve ‘80, ishte një nga vendet e fundit në Tokë ku mund të gjeje ende buste të Stalinit në sheshet publike.

Sot, Shqipëria është një vend demokratik, kandidate për t’u anëtarësuar në BE dhe një anëtare e NATO-s. Por ajo është e mbushur me korrupsion dhe nepotizëm. Renditet në vendin e 110-të nga 180 vende të vlerësuara nga indeksi më i fundit i perceptimit të korrupsionit të “Transparency International”. Shqipëria është gjithashtu e njohur si një burim i një numri të madh refugjatësh.

Argumentet janë të ndezura për numrin e tyre dhe statusin ligjor, por shqiptarët dhe kushërinjtë e tyre, kosovarët etnikisht shqiptarë, shpesh provokojnë zemërim në Britani. “Asnjë shqiptari të vetëm nuk duhet t’i jepet azil dhe as të lejohet të aplikojë për të”, komentoi së fundmi një lexues i Telegrafit. “Drejt në aeroport dhe në shtëpi”.

Por, pyesja veten a ka shqiptarë normalë e të denjë që do të bëhen shqiptarë krenarë britanikë? Isha i etur për të pasur një pamje më të rrumbullakosur për shqiptarët në Britani. Udhëtimi im i vogël i zbulimit filloi në ‘Illyrian Grill House’, një restorant shqiptar në Palmers Green, në veri të Londrës, në një rrugë periferike që doli të ishte një lloj Shqipërie e Vogël. Mësimi i parë ishte se bizneset shqiptare nuk ‘bërtasin’ për të qenë shqiptare. “Mesdhetar” është përshkrimi i zakonshëm. E dyta është se ‘Illyrian’ shërben një mëngjes masiv dhe të shijshëm shqiptar, me sallam të bërë vetë, djathë shqiptar, vezë të skuqura, ullinj dhe speca të skuqur që ‘zihen’ për hapësirë në pjatë.

Është plot me familje të këndshme. Stafi simpatik, të gjithë shqiptarë dhe me kostum të pjesshëm kombëtar, ishin mikpritës. Atë mbrëmje, unë dhe partnerja shijuam një darkë të bollshme dhe takuam edhe bashkëpronarin, 33-vjeçarin Olti Bokçiu. Ne provuam pjata si levreku i pjekur në skarë i marinuar me vaj dhe djathë të bardhë dhe një klasik shqiptar, Tavë Dheu – mëlçi viçi e gatuar në një pjatë balte me speca, domate, hudhër dhe (më shumë) djathë – të gjitha të shoqëruara nga një verë e kuqe e shkëlqyer shqiptare.

Bokçiu, një i ri serioz, u habit që unë kisha qenë në vendin e tij para se ai të lindte. Ai ka një diplomë biznesi dhe gjithashtu zotëron një kompani ndërtimi. Ai preferon punëtorët shqiptarë dhe polakë, por më tregoi me krenari se kishte marrë një menaxher anglez dhe dëshiron t’u japë punë më shumë njerëzve vendës. Restorantin e kishte hapur vetëm 18 muaj më parë.

Shumica e klientëve janë shqiptarë. Në mure ka fotografi të shqiptarëve të njohur si Nënë Tereza, kostume kombëtare në vitrina të stilit muzeal dhe një bust prej druri të heroit kombëtar, Skënderbeut, një komandant lufte i shekullit të 15-të.

A e sheh Bokçiu të ardhmen e tij këtu? “Sigurisht që do të qëndroj. Unë kam edhe dy vëllezër këtu, ata kanë gra dhe fëmijë në shkollë. Gjithçka që kam, e kam për shkak të këtij vendi. Kjo është arsyeja pse në zyrën time kam flamujt e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë krah për krah. Në këtë vend ka punë sa të duash”. Në dy orë bisedë, nuk dëgjuam asnjë ankesë. Pak njerëz të lindur në Britani mund të qëndrojnë kaq gjatë pa një ankim për Britaninë. Gjithashtu, ai nuk do të na linte të paguanim, – shqiptarët janë shumë mikpritës.

Mungesa e ankimit ishte e njëjtë edhe në bisedën time të radhës, me Adelina Morinën, një kontabiliste 43-vjeçare për një kompani globale softuerësh. Morina ka lindur në Kosovë dhe ka ardhur këtu në vitin 1992, 13 vjeç. Kur shpjegoj dyshimin tim për Mercedesin me targa shqiptare në M4, ajo buzëqesh dhe ngre supet. “Ka të mira dhe të këqija kudo”, thotë ajo. “Kam hasur paragjykime kur kam hyrë në vendin e punës. Njerëzit nuk kishin besim tek unë dhe gjërat ishin të vështira derisa unë u tregova dhe ata panë potencialin tim”.

Ajo pajtohet me pikëpamjen pro-britanike të Bokçiut. “Kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime këtu. Më pëlqen. Ky është një vend i mundësive. Ju mund të mos dëshironi t‘i merrni ato, veçanërisht nëse pagesa nuk është e madhe. Prindërit e mi më mësuan të drejtën dhe të gabuarën, dhe ju nuk mund ta falni emigracionin e paligjshëm. Por është e lehtë të kuptohet pse njerëzit rrezikojnë kaq shumë për të ardhur këtu. Shqipëria është e bukur, por nuk ka asnjë mbrojtje nga ligji, as nga sistemi shëndetësor. Nuk ka infrastrukturën e duhur”. Kur isha një nënë e re beqare në krizën financiare të vitit 2008, thotë ajo, bëra tre ose katër punë në të njëjtën kohë për të rritur fëmijën tim.

A shoqërohet ajo me shqiptarët këtu? Ajo është e afërt me motrën e saj në Hertfordshire, një menaxhere e lartë në farmaceutikë, dhe ndonjëherë shkon në një pijetore shqiptare – ‘Queen’s Arms’ në Kilburn, e cila, u habita kur dëgjova, është në pronësi të prindërve të Rita Orës, këngëtares me origjinë nga Kosova. Lokali shërben ushqim shqiptar dhe ka muzikë live shqiptare. “Është një ambient komod”, thotë Morina, “dhe është bukur të flasësh shqip. Por jo shumë shpesh”.

Më pas, shkoj në Kings Road në Chelsea për të takuar Klentiana Mahmutaj, një avokate karizmatike 44-vjeçare e lindur dhe e shkolluar në Tiranë, dhe ndoshta – pas Rita Orës dhe koleges së saj këngëtare Dua Lipa – shqiptarja e profilit më të lartë në Britani.

Avokatja Klentiana Mahmutaj, 44 vjeç, është një nga shqiptaret me profilin më të lartë në Britani

Në Tiranë, prindërit e saj ishin kundërshtarë të regjimit të Hoxhës. Klentiana e re u magjeps nga historia britanike dhe tani, vite më vonë, është e martuar me një avokat britanik dhe ka një djalë të quajtur Uilliam.

Si avokate, ajo ka ndjekur penalisht organet zyrtare, duke përfshirë Agjencinë e Mjedisit, Zyrën e Mashtrimeve të Rënda dhe Policinë Metropolitane – dhe është krenare, si një grua e lindur jashtë vendit, që ka lejen e sigurisë që i lejon një punë kaq me përgjegjësi. “Në Shqipëri, nepotizmi është i tillë që nuk do të mund të bëhesha juriste”, thotë ajo.

Si një konservatore qendrore aktive në të drejtat e njeriut, Mahmutaj është në konflikt me çështjen e emigracionit shqiptar. Ajo vlerëson se perspektivat për shqiptarët në vendin e tyre janë të kufizuara nga korrupsioni, por këmbëngul se Mbretëria e Bashkuar duhet të hapë kufijtë e saj. Ajo favorizon një politikë pragmatike të të qenit të hapur ndaj shqiptarëve që vijnë, që mund të jetë e dobishme për një Britani me mungesë të fuqisë punëtore.

Megjithatë, ajo kundërshton mediat dhe politikanët që nënkuptojnë se të gjithë shqiptarët janë kriminelë duke vënë në pah përkatësinë etnike të atyre pak të dënuarve. “Në fakt nuk është e pasaktë, por të stereotiposh dhe të pikturosh të gjithë atë vend me të njëjtën furçë dhe t’i shash, mendoj që është gabim. Por kurrë nuk jam ndjerë subjekt i racizmit apo ksenofobisë, gjë që është e pabesueshme. Kur ndaj histori me shqiptarë të tjerë në Europën kontinentale, ata nuk kanë përvoja të ngjashme”.

“Shqiptarët janë njerëz të talentuar”, thotë ajo. “Jemi vetëm 3.1 milionë banorë në Shqipëri, por ne kemi dhënë kontribute të mëdha këtu dhe në mbarë botën në akademi, në shkencë, në mjekësi, në banka. Secilit prej nesh na takon që ta themi me krenari se jemi shqiptar në vend që ta fshehim atë”.

Ashtu si Olti Bokçiu, edhe Mahmutaj ka një flamur shqiptar në zyrë. “Britania është shtëpia dhe ky është vendi im, por është shumë e rëndësishme të kujtohesh se kush je dhe nga vjen”.