Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar se përse qeveria nuk do të mbyllë aktivitetin prodhues në vend, pavarësisht situatës së vështirë nga koronavirusi.
“Të bombarduar me gjithë çfarë lajmesh, ju keni të drejtë të ankoheni, të mendoni se e dini më mirë, të acaroni dhe më shani, por askush nuk ka të drejtë të vendosë në diskutim dobinë jetike dhe të shkelë ligjin special që më ka rënë mua barra ti komunikoj. Askush nuk e di sa mund të zgjasë kjo luftë.
Të mbyllësh aktivitetin prodhues sot është njësoj sikur t’i heqësh Shqipërisë, aparaturën e frymëmarrjes as dy muajsh që po e mban në jetë. Kjo do të ishte vetëvrasje drejtuar një populli të tërë dhe nuk ka për të ndodhur. Virusi po sprovon Shqipërinë.
Kush nuk e kupton, le të më shajë. Nuk ka problem. Ekspertët thonë se masat mbrojtëse në një mjedis të kontrolluar pune dhe zbatimi i distances dhe këshillave të higjienës, funksionojnë. I kemi kërkuar kompanive që të marrin masat e thjeshta dhe të domosdoshme për të mbrojtur personelin.
As Italia nuk i ka mbyllur fabrikat, as Izraeli që ka futur në karantinë 100 mijë vetë si ka mbyllur, as Franca, që kalon shtetrrethim total nesër.
Ne jemi i pari vend që mbyllim raportin publik qytetas ndërqytetës”, tha ai në një komunikim drejtuar publikut.
Rama njoftoi se brenda kësaj jave do të jetë gati plani i garancisë financiare për pagat e atyre që kanë lënë punën për të ndenjur në shtëpi.
“Të gjithë duhet të ndryshojmë ekonomitë familjare vetëm përkohësisht. Ata që nuk marrin rrogë gjatë kësaj periudhe, nuk do t’i lëmë në dorë të sipërmarrjes private që nuk mund të marrë barrën e solidaritetit. Prandaj, do të kemi brenda kësaj jave planin e garancisë financiare për pagat e atyre që kanë lënë punën për të ndenjur në shtëpi”, tha Rama.
Më tej, kryeministri u shpreh se kufizimet kanë një dobi jetike: “Mos e vini në diskutim dobinë jetike të kufizimeve skandaloze që po u imponohen të gjithëve. Kjo nuk do të jetë një luftë e shkurtër. Askush nuk e di sa do të zgjasë kjo luftë me armikun e padukshëm, që ka kapur gafil edhe fuqitë më të mëdha ekonomike dhe teknologjike të botës. I vetmi ilaç për të ulur numrin e viktimave është kufizimi drastik i lirisë sonë të lëvizjes dhe distancimi nga njëri-tjetri”.