Christine Ockrent
Kur maja e kullës u thye dhe ra nga lart, na u duk sikur u ngul fort në zemrat tona. Për të gjithë ne, në Paris e në të gjithë Francën, të krishterë apo jo, besimtarë apo jo, Notrë Dam ka qenë më shumë se thjesht madhështi e arkitekturës gotike.
Është kërthiza e vendit, qendra historike dhe gjeografike. Të gjitha rrugët tona nisin që aty, ngado që ta kenë drejtimin. Është pika e përqendrimit, pika zero. Mblidhemi rrotull Notrë Damit si për ngjarje të mëdha kombëtare, ashtu dhe për të mbajtur zì. Vështirë të gjesh një çast domethënës në historinë e kryeqytetit tonë që s’ka pasur dhe Notrë Damin të përfshirë.
Një kujtim i freskët: me mijëra marshuan para Notrë Damit në dhjetor të vitit 2015, pas sulmeve terroriste që përgjakën Parisin.
Për shumë shekuj para kësaj kohe të errët, Notrë Dam ka qenë simbol i krenarisë dhe rrugëtimit të kombit. Napoleon Bonaparti u kurorëzua në Notrë Dam. Zhan D’Arka u shpall shenjtore në Notrë Dam. Aty janë ndjekur nga populli, në masë, funeralet e Sharl Dë Golit dhe Fransua Miterranit. Katedralja i bëri ballë artilerive të “Bertës së Madhe”, gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe qëndroi kryelartë gjatë viteve të pushtimit nazist.
Viktor Hygo shkroi kryeveprën e Kuazimodos që dashurohej me Esmeraldën pikërisht në këtë vend. Edhe në atë përrallë, ashtu si në realitetin e hidhur të kësaj të hëne, katedralja u përpi nga flakët e egra e zemërake.
Qiejt e Parisit u errësuan nga tymi, njësoj si Nju Jorku më 11 shtator. I vetmi lehtësim është që nuk ka humbje jete, si dhe fakti që tani e dimë se struktura prej guri e katedrales ka shpëtuar.
Pjesët e shkatërruara të kishës do të rindërtohen, siç u rindërtuan 150 vite më parë nga Euzhen Violet-Lë-Dyk, arkitekti që ngjalli aq shumë debate. Franca do t’i rezistojë edhe simbolizmave si “e shkuara e lavdishme po bëhet hi”, dhe teorive të neveritshme të komplotit që pa dyshim po lulëzojnë nëpër internet.
Notrë Dam e Parisit do të mbijetojë, ashtu si shumë prej thesareve të qytetit. Por zemrat tona do të jenë përgjithnjë të lënduara.
*Marrë nga shkrimi i gazetares dhe shkrimtares pariziene, Christine Ockrent, për “The Guardian”