“Merre atë kupë me urdhër të Peaky Blinders”. Nuk e dimë nëse këto fjalë janë përdorur nga anëtarët e bandës së famshme nga Birminghami për të kompletuar një nga vjedhjet më të mëdha të historisë së Anglisë por nga largësia e 120 viteve mund të ndërtojmë itenerarin dhe etapat e ndjekura për të vjedhur trofeun FA Cup të fituar nga Aston Villa në vitin 1895.
Finalja e FA Cup u luajt në 20 prill të vitit 1895 në stadiumin “Selhurst Park” të Crystal Palace mes West Bomwich dhe Aston Villa ku këta të fundit fituan me një gol që mbajti rekordin për 114 vjet si më i shpejti i shënuar ndonjëherë në finalen e një kupe në Angli.
Edhe pse ende një klub i ri, Aston Villa e fitoi për herë të dytë dhe pas suksesit drejtuesit vendosën ta reklamonin trofeun në qytetin e Birminghamit. Kupa u ekspozua në vitrinën e një dyqani sportiv “William Shillcock “ në “Newtown Row”, rrugë që lidh qëndrën e Birminghamit me stadiumin Villa Park.
Në natën mes 10 dhe 11 shtatorit një grup njerëzish hynë në dyqan dhe e vodhën pa lënë asnjë gjurmë. Pronari i dyqanit dhe klubi i Aston Villa-s kërkuan gjatë madje vendosën si shpërblim 10 stërlina për këdo që ofronte informacion, por pa sukses. Çështja u mbyll dhe Aston Villa i kërkoi federatës riprodhimin e kupës.
Gjithsesi dyshimet mbetën. Kush e kishte marrë kupën? Disa vite më vonë u zbulua që një nga anëtarët e bandës ishte John ‘Stosher’ Stait, i cili kishte marrë pjesë në grabitjen e kupës. Këtë e konfirmuan në dëshmitë e tyre nipërit apo njerëzit e afërm të tij.
Trofeu i vjedhur është i vetmi ekzemplar origjinal që mungon në historinë e gjatë të evenimentit më të vjetër futbollistik të planetit. Kupa nuk u gjet asnjëherë, por Aston Villa vazhdon të reklamojë me krenari kopjen e riprodhuar pak vite më vonë nga federata.