Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë takimit që po zhvillon këtë pasdite me strukturat dhe përfaqësuesit për Tiranë, nuk i ka kursyer akuzat dhe ironitë ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi se e ka kthyer Tiranën në beton.
“Shumë shpejt kjo tirani do jetë nën këmbët tuaja dhe gjithë popullit të lirë të Tiranës sepse Tirana do jetë e para kundër tiranisë së betonit. Tha dikush është pak nxehtë këtu. Normale se gjithë ky beton, i korridoreve ajrore të Tiranës. Shqipëria ka pasur dhe pushtues të përgjegjshëm, nuk ka vetëm pushtues të papërgjegjshëm dhe mizor që e nisën karrierën me 20% në Tiranë dhe tani kanë kaluar me 500-600% në Shqipëri. E nis me 20% në Tiranë me pallatet dhe lejet, tani bën rrugët 5-6 % më shtrenjtë se Serbia dhe 10% më të shtrenjta se BE”, akuzoi Meta.
Sipas Metës, shkatërrimin që Rama i ka bërë trashëgimisë së kryeqytetit nuk ia ka bërë asnjë pushtues.
“Sigurisht që Tirana ka përjetuar si askush tjetër, pabesinë e këtij sekti makut, por edhe antikombëtar që e nisi duke u përpjekur të vjedhë meritat e ish-kryeministrit Ilir Meta për t’i rikthyer Tiranës parqet e gjelbra, për të mbrojtur atë trashëgimi kulturore që kishte Tirana nga e kaluara përfshirë dhe Teatrin Kombëtar. Për ta kthyer në Tiranën e betonit, ku nuk dallohet kulla e Sahatit për shkak se kulla të tjera qiellgërvishtëse kanë mbushur Tiranën. Tirana ka hak për të marrë, do e marrë shumë shpejt për ta kthyer pabesinë me drejtësi për t’i dhënë fund këtij degradimi”.
Ai risolli në vëmendje Tiranën kur ai ishte kryeministër dhe Rama kryebashkiak i Tiranës, i cili sipas Metës i vinte nga pas si xhol.
“Dua t’u kthej disa vite pas kur isha kryeministër, ku mora disa vendime për t’i rikthyer Tiranës parkun ‘Rinia’, kur ky vinte nga pas më vinte si xhol. Pastaj, krijoi legjendën sikur kishte prishur parkun ‘Rinia’. Pastaj tek rruga e Elbasanit, ku ka qenë një park lodrash. Më qepet si xhol nga prapa, vjen ky merrte kalamajtë e mi dhe dilte në fotografi. Shkoni pak tek rruga e Elbasanit, tani që i ka të gjitha në dorë ky. Çfarë ka bërë ky atje, një mal betoni. Gjysma e Tiranës nuk e shohin dot më Malin e Dajtit.
Ka alergji nga gjelbërimi, shikoni ca i ka bërë Tiranës, Durrësit, shikoni ca po i bën bregdetit të jugut. Vetë iku në Surrel sepse për mushkëritë e veta kujdeset, por për qytetarët është një xhelat i vërtetë”, tha Meta.