Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja makabre e Caroline Crouch, e lindur dhe e rritur në Greqi, por me shtetësi britanike.
Nëna e re, u mbyt në sy të fëmijës 11 muajsh, nga një grup i organizuar kriminal që hynë në banesën e saj, duke lidhur të shoqin me litar, e duke vjedhur më shumëse 30 mijë euro kesh dhe stoli.
Sipas informacioneve nga “Espresso”, njëri prej tyre është një kriminel i njohur shqiptar, i cili ishte dënuar për vrasje në tentativë, formimin e një organizate kriminale, grabitje dhe një mori krimesh të tjera, dhe i cili së fundmi ishte liruar nga burgu.
Sipas të njëjtave burime, policia e kërkoi atë në adresën që ai kishte deklaruar si vendbanimin e tij, në Agia Paraskevi, por nuk arriti të lokalizojë.
Autoritetet e policisë arritën tek ai duke përdorur të dhëna të gjetura në shtëpinë e të ndjerës si dhe nga përshkrimi i pilotit 32-vjeçar. Ky i fundit kishte raportuar se një person “i shkurtër” i grupit të kriminelëve që i mësynë në shtëpi, ishte rreth 1.70 metra i gjatë dhe dukej se ishte udhëheqësi.
“Të dy ishin relativisht të gjatë, diku tek 1.80 metra. I treti ishte më i shkurtër, pak më shumë se 1.70 m dhe më i plotë. Ai dukej se ishte udhëheqësi”, ka thënë më herët piloti.