Pavarësisht marrëveshjeve rajonale, SHBA dhe Shqipëria po përpiqen të përfshijnë ushtrinë e Kosovës në stërvitjen e Kartës Amerikano-Adriatike, e cila do të zhvillohet nga 21 deri në 24 tetor në Shqipëri – shkruan “Vecernje Novosti”.
Sipas të përditshmes së Beogradit, Bosnja-Hercegovina është nën presionin më të madh për të pajtuar pjesëmarrjen e Ushtrisë së Kosovës, megjithëse nuk e ka njohur pavarësinë e saj, raporton Tanjug.
Ushtrimi “Reagimi i Përbashkët 2019” mbahet në kuadër të nismës A-5, dmth Kartës Amerikano-Adriatike, në të cilën janë anëtarësuar Kroacia, Shqipëria, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, ndërsa Serbia ka statusin e vëzhguesit.
Gazeta shkruan se në një përpjekje për të forcuar pavarësinë e Kosovës dhe për të shndërruar forcat e sigurisë së Kosovës në një ushtri të vërtetë, Kosova raportohet se po siguron një prani të saj në A-5, një, siç cilësohet, “derë e vogël e NATO-s”.
Transformimi në Forcat e Armatosura të Kosovës
Një paketë ligjesh për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri u miratua me shumicë absolute të votave në Kuvendin e Kosovës më 14 dhjetor të vitit të kaluar.
Në votim nuk morën pjesë anëtarët e komunitetit serb.
Pakoja e ligjeve përfshin Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Me anë të këtyre ligjeve, Forcës së Sigurisë së Kosovës iu dha mandati të “mbrojë integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Kosovës”, si “forca ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor”.
Transformimi i forcave të sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës u mbështet nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia në atë kohë, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili potencoi të drejtën sovrane të Kosovës për të formuar një ushtri.