Aktualitet Përfundojnë viaduktet në “Rrugën e Kombit”, Balluku: Dorëzojmë një tjetër aks me...

Përfundojnë viaduktet në “Rrugën e Kombit”, Balluku: Dorëzojmë një tjetër aks me parametra europiane

“Rrugës së Kombit  i shtohet tashmë një aks plotësisht i përfunduar dhe i aksesueshëm në të gjithë gjatësinë e tij. Pas 10 vitesh vonesash, punimet për ndërtimin e viadukteve përgjatë segmentit nga Kukësi në Doganën e Morinës kanë përfunduar duke ndikuar në këtë mënyrë dhe në rritjen e sigurisë rrugore përgjatë këtij aksi.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, dhe kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, inspektuan nga afër përfundimin e punimeve përgjatë këtij segmenti.

Drejtoresha Qato bëri të ditur se ka qenë një projekt i cili kishte pjesë të tij disa vepra madhore dhe me kompleksitet të lartë por që morën zgjidhjen e duhur nga ana e kompanisë kontraktuese. “Lajmi i mirë është që lançojmë hapjen për trafik të 7 viadukteve dhe rakordimet përkatëse të cilat janë kryer në infrastrukturën e cila lidh 13 kilometra. Janë 13 kilometra të cilat vihen në përdorim të gjithë mjeteve dhe përdoruesve të mjeteve që kalojnë në “Rrugën e Kombit” duke rritur sigurinë rrugore dhe duke rritur padiskutim dhe performancën e të gjithë kësaj vepre madhore e cila përbën “Rrugën e Kombit””, u shpreh Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Nga ana e saj, ministrja Balluku tha se tashmë edhe ky segment rrugor është pjesë e hartës së akseve nacionale punimet për të cilët janë mbyllur dhe dorëzuar dhe që tashmë është plotësisht i aksesueshëm për përdoruesit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi se rritja e sigurisë rrugore ka qenë në fokus të këtij projekti duke shtuar se mangësitë e evidentuara në projektin fillestar krijuan edhe vonesa duke marrë kohë për gjetjen e zgjidhjeve të tjera në mënyrë që ky aks të përmbyllej plotësisht.

“Siguria rrugore ka qenë një nga elementet kryesorë që është zbatuar me përpikmëri në këtë aks duke qenë se është një nga prioritetet që Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhe kompleksiteti i kësaj pjese ka qenë i ditur për publikun. Kjo është një kontratë e lidhur në vitin 2009 me kompleksitet të madh teknik, me një projekt gjithashtu të gabuar, siç e kemi parë dhe herë të tjera në projekte të mëparshme psh  rruga Tiranë-Elbasan apo dhe gjetkë dhe përfundimisht i është gjetur një zgjidhje teknike”, deklaroi Balluku.

Por pavarësisht këtyre pengesave, ministrja Belinda Balluku theksoi se tashmë kjo rrugë, me standarde europiane, është plotësisht e hapur dhe në dispozicion të përdoruesve të saj.

“Ashtu si shumë kontrata të tjera të cilat kanë qenë të hapura prej vitesh në kantieret e rrugëve nëpër Shqipëri edhe kjo rrugë dorëzohet, pra bëhet e kalueshme për automjetet duke filluar nga sot. Një rrugë sipas të gjitha parametrave europiane të sigurisë rrugore. Kukësi, por kjo është një rrugë që i takon gjithë Shqipërisë, e meriton një veper të tillë. Ne jemi shumë të kënaqur dhe ndihemi krenar që çdo ditë e më shumë i shtojmë listës së akseve kombëtare, rrugë të kësaj cilësie kaq të lartë”, u shpreh Balluku.

Punimet për ndërtimin e viadukteve përgjatë segmentit rrugor Kukës Dogana e Morinës ka qenë një sfidë edhe për industrinë e ndërtimit në vend, pasi për ndërtimin e një prej viadukteve me një lartësi prej 46 metrash është kërkuar ndërtimi i një vinçi të posaçëm përmes të cilit u bë e mundur ndërtimi i trarëve të këtij viadukti.

“Rruga e Kombit” është një ndër akset që ka një fluks të lart lëvizjesh të automjeteve. Përfundimi i viadukteve si dhe pajisja me sinjalistikën e nevojshme rrit më tepër sigurinë rrugore përgjatë këtij aksi si dhe lehtëson qarkullimin e automjeteve.