Politika Mediat serbe: Provokim i ri nga Edi Rama

Mediat serbe: Provokim i ri nga Edi Rama

Provokim e kanë konsideruar mediat serbe mënyrën sesi kryeministri Edi Rama zgjodhi të kujtonte këtë 22 vjetor të nisjes së bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Mediat vendase kanë zgjedhur që lajmeve për këtë postim t’i vendosin tituj si “Provokim i ri nga Edi Rama, përvjetorin e nisjes së bombardimeve e quan një datë të pashlyeshme”, duke shkruar se kreu i qeverisë shqiptare i krahasoi serbët me fashistët.

Kryeministri Edi Rama e kujtoi 22 vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe gjatë luftës në Kosovë me një postim në Twitter.

Rama shkruajti se adresimi historik i Presidentit Bill Clinton për bombardimin e regjimit nacional-socialist të Beogradit në mbrojtje të Kosovës e bën 24 Marsin një datë të pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Në fjalimin e mbajtur në vitin 1999, Clinton shprehej se trupat serbe po bombardonin vendbanimet civile dhe po digjnin shtëpitë.

Fillimi i bombardimeve nga forcat e NATO-s ndaj Serbisë nisi më 24 Mars të vitit 1999 dhe zgjaten plot 78 ditë, deri më 10 Qershor.  Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova.