13 tetori nuk është më vetëm një reference zgjedhore e Presidentit, por ka vënë në lëvizje edhe opozitën.
Republikanët, jo vetëm që njohin dekretin e Presidentit, por shpallin pjesëmarrjen në zgjedhje.
“Padyshim që do të regjistrohemi në zgjedhjet e 13 tetorit. Unë mendoj se detyra e një force politike është dhe në mënyrë të veçantë i opozitës është respektimi i Kushtetutës. Unë nuk jam as euforik, por as naiv për të moskuptuar realitetin politik që ka Shqipëria. Por ajo që është e rëndësishme për një forcë politike, ndryshe nga institucionet e tjera që merren me diskutime të ideve politike, është që një forcë politike të ndërmarrë të gjitha hapat për të ndërtuar një raport të drejtë me qytetarët dhe për të ndryshuar një realitet që është i papranueshëm për ta”, u shpreh për A2 CNN Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane.
Regjistrimi si garues duhet të ndodhë brenda datës 4 gusht, pasi Kodi Zgjedhor, parashikon se limiti është 70 ditë para datës së zgjedhjeve.
Pavarësisht këtij vendimi, aleati historik i PD, këmbëngul në nevojën për të negociuar për zgjidhjen e krizës dhe pranon se është i gatshëm të ulet edhe me Edi Ramën.
“Kundërshtarin politik t’i nuk e zgjedh dot, ai është zgjedhur nga dikush tjetër. Mendoj se ndonjëherë është më mirë të merresh me atë që ke kundërshtar të drejtpërdrejt politik se sa me vegla të kundërshtarit politik. Kjo e kthen pastaj dialogun në mënyrë qesharake. Është shumë e rëndësishme që ne të arrijmë në një mirëkuptim, nëpërmjet negociatave që ne të zgjidhim këto probleme për të garantuar që të kemi një qeverisje tranzitore, e cila nuk do të jetë më një qeverisje e Ramës, por një qeverisje e një vullneti politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por pa Ramën Kryeministër”, tha Mediu.
Një ndihmë shpreson t’i vijë nga OSBE. Në intervistën për A2 CNN, Fatmir Mediu zbulon se bashkë me liderin e opozitës, kërkesën sekretarit të përgjithmonë, Greminger, ia ka paraqitur, më herët se Presidenti Meta.
“Unë tërësisht në mbështetje të këtij qëndrimi dhe kërkese të zotit Meta edhe për faktin se kjo është një çështje që ne si opozitë tashmë e kemi diskutuar paraprakisht edhe me OSBE-në. Bashë me zotin Basha kemi qenë në Luksemburg ku kemi diskutuar me përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe mbas asaj kemi kërkuar dhe kemi shkuar si opozitë, me zotin Basha. Ne jemi takuar me zotin Greminger. Ajo çfarë i kemi kërkuar zotit Greminger është një autoritet, i cili kënaq interesin pro shqiptar dhe mbështetjen e të gjitha palëve politike për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës. Faza imediate është ndalimi i maskaradës për ndryshimin e kryetarëve të bashkive për shkak të një procesi tërësisht farsë votimi”, tha kreu republikan.
Deri më tani, PD që udhëheq opozitën, ka pranuar se e njeh 13 tetorin, por nuk hyn në zgjedhe pa u plotësuar kushtet që të jenë të lira dhe të ndershme, çka sipas tyre nuk mund të ndodhë me Edi Ramën Kryeministër./ A2 CNN