Aktualitet Mega-operacioni i SPAK, nga vëllezërit Duka te Dokle dhe Dervishaj, kush është...

Mega-operacioni i SPAK, nga vëllezërit Duka te Dokle dhe Dervishaj, kush është shpallur në kërkim

Prej orëve të para të mëngjesit, me urdhër të SPAK, policia dhe RENEA kanë kryer kontrolle në një sërë banesash, për të bërë të mundur kapjen e disa personazheve të njohur të botës së krimit, të cilët dyshohen për vepra të rënda penale të ndodhura në vendin tonë.

Nga 43 urdhër-arreste të lëshuara në total, janë ekzekutuar vetëm 9 prej tyre, ndërsa shumë prej personazheve më të lakuar të krimit nuk janë gjetur në banesat e tyre.

Kontrolli është ndërmarrë në disa qytete, ku në Tiranë, policia është përqendruar në banesën e vëllezërve Duka, të cilët dyshohen si autorë të vrasjes së ish-efektivit të Polisë Santiago Malko, si dhe njihen si rivalë të Ervis Martinajt.

Edhe në banesën e këtij të fundit SPAK ka ushtruar kontrolle, edhe pse bosi i lojërave të fatit rezulton i zhdukur prej afro dy vitesh.

SPAK ka lëshuar urdhër-arrest dhe për disa personazhe të njohur të botës së krimit në Durrës, Endrit Doklen dhe Plarent Dervishajn, të cilët prej disa vitesh kanë gjetur strehim në Dubai.

Po ashtu urdhërarreste janë lëshuar dhe për dy vëllezërit Abdylaj në Shijak, të cilët dhe më herët kanë pasur llogari të hapura me drejtësinë, në kuadër të dosjes 339.

Kontrollet janë shtrirë dhe në zonën e Niklës, ku SPAK ka kërkuar arrestimin e Valter dhe Durim Bamit, ky i fundit rezulton se nuk ka qenë në banesë në momentin e mbërritjes së forcave RENEA.

Në Vlorë kërkimet janë zhvilluar në banesën e Fatmir Hysenit, i cili është marrë i pandehur në mungesë për vrasjen e Santiago Malkos, dhe gjithashtu ka qenë një prej emrave që janë përmendur si autorë të mundshëm të atentatit ku u vra Brilant Martinaj.

Në mesin e emrave VIP nga operacioni i sotëm është dhe ai i ish-deputetit të Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, Arben Ndoka.

EMRAT e personave që përmenden deri tani në këtë operacion

Ervis Martinaj

Endrit Dokle

Plarent Dervishaj

Durim Bami

Valter Bami

Altin dhe Astrit Avdylaj

Fatmir Hyseni

Marklen Haka

Arben Ndoka

Leonard dhe Erlis Duka

Ervis Doçi alias “Visi i Pojës”

Albert Zaja