Dy efektivë janë përjashtuar nga Policia e Shtetit për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskredituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave dhe mosbindje të rëndë.
Policia e Shtetit njofton se ndaj dy policëve Henerigert Mitri dhe Klodian Shahini, GJKKO ka caktuar masë sigurie. Urdhrat e përjashtimit janë firmosur nga kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, i cili falenderon SPAK për bashkëpunimin.
“Në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin dhe, më keq akoma, bashkëpunon me grupet kriminale. Falënderoj Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit për bashkëpunimin profesional në përpjekjet e përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar dhe vënien përpara drejtësisë të kujtdo që tenton t’i shmanget asaj”, është shprehur Rrumbullaku.
“Janë përjashtuar: Drejtues H. M., me detyrë shef i Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4, 333/a/1, 334, 259, 197/3 dhe 248 të Kodit Penal. Komisar K. SH., me detyrë shef i Seksionit të Policimit në Komunitet dhe Shërbimit ndaj të Tretëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë, Dibër, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80, 284, 28/4, 333/a/1 e 334 të Kodit Penal”, thotë Policia.
Dy punonjësit e policisë janë në mesin e 50 emrave që kanë rezultuar prej megaoperacionit të së premtes. Janë goditur 7 grupe kriminale, nga të cilat 20 vetë u arrestuan, ndërsa 30 të tjerë janë shpallur në kërkim.