Policia e Shtetit ka zhvilluar një megaoperacion të quajtur “Sundimi i ligjit” kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, doli në një konferencë për shtyp për të dhënë për rezultatet e këtij aksioni, ndërsa tha se ishte i ndarë në dy faza.
“Faza e parë u zhvillua nga data 25 Nëntor deri më datë 30 Nëntor, ndërsa faza e dytë u zhvillua nga data 1 dhjetor deri në mbrëmjen e datës 6 dhjetor”, u shpreh Rrumbullaku.
Si pasojë e të këtij operacioni, u kontrolluan 1078 lokale dhe ambiente të tjera, në të cilat dyshohej se organizoheshin lojëra fati. Në 253 ambiente u konstatuan paligjshmëri në këtë fushë, ndërkohë që u kontrolluan 1895 persona.
Si rezultat janë evidentuar 181 raste nga të cilat u proceduan 210 persona.
116 janë arrestuar në flagrancë, 89 u proceduan në gjendje të lirë, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.
“Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, janë arrestuar 102 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 68 të tjerë”, u shpreh Rrumbullaku.
Gjatë kontrolleve, u sekuestruan: 4 tavolina për lojën Poker me valixhe me çipsa dhe me letra bixhozi, 184 celularë, 25 njësi kompjuterike, zara, 174 000 Lekë, 20 434 Euro dhe 11 360 Paund që i shërbenin lojërave të fatit, si dhe sasi kanabisi, municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1 automjet.