Grupi Modelo i Meksikës tha të enjten se do të ndalojë përkohësisht prodhimin e birrës Corona dhe markave të tjera të eksportuara në 180 vende pasi aktivitetet e saj të biznesit u shpallën jo thelbësore nën një urdhër qeveritar që synon të frenojë përhapjen e koronavirusit.
Qeveria meksikane këtë javë shpalli një emergjencë shëndetësore dhe urdhëroi pezullimin e aktiviteteve jo thelbësore pasi numri i rasteve të koronavirusit në vend tejkaloi 1000. Të enjten, qeveria raportoi 1510 të infektuar dhe 50 vdekje prej Covid-19.
Kompania e birrës tha në një deklaratë se pezullimi do të hyjë në fuqi nga e diela dhe se ajo ishte tashmë në procesin e uljes së prodhimit në një nivel të atillë në të cilin mund të rifillonte pasi të hiqet pezullimi.
“Nëse qeveria federale e konsideron të përshtatshme të nxjerrë disa sqarime që konfirmojnë birrën si një produkt agroindustrial, në Grupo Modelo ne jemi të gatshëm të ekzekutojmë një plan me më shumë se 75% të stafit tonë që të punojë nga shtëpia dhe në të njëjtën kohë të garantojmë furnizimin me birrë”, thuhet në deklaratë.
Bujqësia dhe prodhimi i ushqimit në përgjithësi konsiderohen aktivitete thelbësore.
Grupi Modelo (GPMCF.PK), e cila është pjesë e grupit të birrës Anheuser-Busch InBev, operon me 11 birrari në Meksikë.