Ardian Mema beson se ka ardhur momenti që Tirana të prishë “mallkimin” 5-vjeçar të ndeshjeve derbi pa fitore ndaj Partizanit. Tekniku bardheblu thekson se skuadra e tij nuk mendon t’i bëjë nder Kukësit, por për objektivat e saj.
Mallkimi 5-vjeçar: “Është fakt që Tirana nuk fiton prej pesë vitesh me Partizanin, ndoshta mund të ketë ardhur dita për ta thyer. Jemi përgatitur për këtë ndeshje, në fund do të fitojë ekipi që gabon më pak. Mund të bëjnë diferencën edhe individët gjatë lojës. Shpresojmë të bëjmë sa më pak gabime. Këtë kemi biseduar gjatë javës. Jam munduar ta mbaj ekipin larg presionit, po e presim të qetë derbin”.
Dhuratë Kukësit? “E kam thënë pas ndeshjes me Kukësin, që ndoshta mund t’u bëjmë një dhuratë sikurse ia bëmë Partizanit. Ne kemi hallet tona, pikët i kemi shumë të nevojshme. Kjo është ajo që do na udhëheqë ne, jo se kujt po i bëjmë nder”.
Tifozët: “Tifozët e Tiranës do të jenë përkrahës të ekipit dhe nuk kanë pse merren me kundërshtarët. Gjithashtu dhe tifozët kundërshtarë nuk kanë pse merren me tifozët tanë. Do të jetë një ndeshje “fair-play” edhe për tifozeritë, pavarësisht historisë. Lojtarët do të jenë ato që do të gëzojnë tifozeritë përkatëse. Shpresoj që lojtarët tanë t’i gëzojnë tifozët bardheblu”.