Trajneri i Tiranës, Ardian Mema ka preferuar që humbjen ta komentojë si një pasojë e përballjes me një kundërshtar shumë të fortë, dhe jo si për gabime të bardhebluve, duke uruar Partizanin për fitimin e titullit kampion.
Një disfatë kjo e Tiranës, që kur mbeten edhe 3 javë nga përfundimi i kampionatit, ndikuar gjithashtu edhe nga fitorja e dyshimtë me përmbysje të dyfishtë e Luftëtarit ndaj Kukësit me rezultatin 3-2, ka vënë sërish në pozita të frikshme bardheblutë, që ndodhen vetëm 2 pikë mbi Kastriotin e vendit të parafundit.
“Kemi luajtur ndaj një ekipi shumë të fortë siç është Partizani dhe me meritë doli kampion. Atyre u uroj fitoren”, u shpreh tekniku i Tiranës.
“Fitorja e Luftëtarit? Rezultatet e ekipeve të tjera na motivojnë edhe më tepër. E mora vesh që Gjirokastra e kishte kthyer ndeshjen dhe vazhdojnë ato rezultatet e çuditshme. Megjithatë nuk dua të merrem me kundërshtarët, do merrem personalisht me të mitë. Problemet i kemi pasur brenda vetes, nuk na e ka pasur fajin askush”, vijoi Mema.
“Normal që vihemi në presion, ndeshja tjetër është një finale. Nëse do fitojë ekipi, normalisht me elementët që kemi mund të fitojmë. Por jo nëse luajmë si sot, pasi nëse nuk lufton çdo gjë shuhet sado cilësi të kesh”, deklaroi ndër të tjera trajneri bardheblu, Ardian Mema.