Dy fjalë për kryeministrin Rama, që nuk di ku bie Memaliaj!
Është fatkeqësi, që banorët e Memaliajt, të vuajnë për pikën e ujit, aq më shumë, kur ky qytet, nga pozicioni gjeografik, është si një gadishull dhe i rrethuar me ujë të ëmbël të rrjedhjes së lumit Vjosë dhe të burimeve me ujë të pijshëm!
Kjo ka qenë një betejë e hershme e memaliotëve, për të siguruar ujin e pijshëm, që nga sistemi i kaluar, e deri më sot! Në sistemin e kaluar, uji vinte vetëm në katet e para për disa orë, dhe memaliotët që banonin në katet e mësipërme, shkonin dhe mbushnin ujë në burimet buzë Vjosë, përreth qytetit. Kush i shikonte, u jepnin ndjesinë e atyre njerëzve që kryenin lëvizje të shpejta dhe të çrregullta, të shqetësuar në kulm, si të ikur nga mendtë, për të siguruar një pikë ujë. Pamje shumë tronditëse, pasi i kam përjetuar dhe më shoqërojnë ende në kujtesë. Nuk mund t’i shuajmë nga memoria me një të mbyllur të syve, kur të vinë parafytyrimet e atyre fëmijëve të ngarkuar me bidona nëpër duar, aq më keq, kur shikoje të moshuar e gra shtatzëne, dhe gjithë kjo luftë bëhej, për të mbijetuar edhe pse regjimi diktatorial kishte fonde për të ndërtuar një ujësjellës të ri. Shprehem kështu, pasi sistemi kaluar kishte mundësi financiare, ngaqë minatorët e Memaliajt, i siguronin shumë të ardhura dhe mbulonin një përqindje të madhe, të buxhetit të shtetit Shqiptar.
Falë qeverisë Rama, në mos gaboj, në Maj të 2014, u dhanë 500 milion lekë, për të ndërtuar rrjetin prej 7 km të ujësjellësit të ri me rrjedhje të lirë, nga Bënça në Memaliaj. Punimet e këtij projekti, mbaruan në fund të vitit 2015 dhe në 2016, duke u dhënë ujë pa ndërprerje memaliotëve. Ky rrjet, funksionon pa as më të voglin problem. Këto punime, i udhëhoqi drejtori i asaj kohe, z. Arben Kacorri. Banorët u gëzuan aq shumë që kjo ëndërr, u realizua përafërsisht, pas 70 vjetësh. Një fitore e madhe dhe historike për këtë qytet të harruar. Madje nga ky sukses, vendosën që t’i hiqnin edhe depozitat e ujit, të cilat rinin mbi tarracat e pallateve, si kërpudha artificiale, që nëse bëhej ndonjë studim, e nxirrte këtë qytet me ndonjë rekord të ri botërorë (përfshi edhe saçet)!
Ishte po ky drejtor, që me iniciativën e tij dhe fondet e ndërmarrjes, shtroi edhe rrjetin nën sheshin e ri të betonuar nga një kompani private, e cila nuk donte t’ia dinte për rrjetin e amortizuar, kur ky rrjetë duhej të zëvendësohej i pari dhe para se të vazhdonin punimet. Kjo punë e papërgjegjshme e kësaj kompanie, u ra në sy të gjithëve dhe si e tillë, Arben Kacorri, ndërhyri me punimet, për të zëvendësuar rrjetin e vjetër me një rrjet të ri, në këtë shesh, pasi, nga eksperienca, e dinte që do vinte një ditë e shpejtë, që do duhej për të shkallmuar sheshin prej 1 milion dollarësh, për të zëvendësuar një rrjet të amortizuar me kosto jo të lartë, por që kostoja e sheshit do dyfishohej.
Ashtu siç e kam shprehur edhe në shkrime të tjera se, investimi i nxituar prej 1 milion dollarësh, për qendrën e Memaliajt, ishte i panevojshëm, pasi shkatërroi qendrën tonë historike, shkatërroi dhe shfarosi gjelbërimin, sepse sot duket një qendër si ato të Meksikës para 300-vjetësh; ku njerëzit duhet të mbathin nallane, se u digjen shuallet e këpucëve dhe u duhen të mbajnë syze skiatorësh, që mos të humbasin shikimin nga bora dhe bardhësia e sheshit dhe e pallateve të gurta të mbuluara me suva dhe lyer me gëlqere. Këto ishin kështjellat tona dhe duhej të mirëmbaheshin, e jo të kryhej një krim, për të mbuluar një krim tjetër, atë të vjedhjeve të fondeve, që një ditë pse jo, mund ta depozitoj në SPAK, këtë ankesë nga diaspora memaliote e mbështetur edhe nga ata banorë të ndershëm që e kanë lidhur jetën me këtë qytet.
I rashë kaq shkurt (në vazhdim, akoma më shkurt), për t’iu lënë të kuptoni, sesi janë̈ vjedhur fondet e dhëna për të zëvendësuar rrjetin e brendshmëm të qytetit, dhe për të shtruar një̈ rrjet të ri dhe bashkëkohorë.
Falë qeverisë Rama, në vitin 2018, u dhanë fonde prej 800 milion lekësh për të shtruar rrjetin e qytetit të Memaliaj dhe 1.1 miliard lekë, për rrjetin e qytetit të Tepelenës. Sot, qyteti i Memaliajt, vuan për një pikë ujë dhe kjo vjen, pasi ndërmarrja e Ujësjellësit që mbulon të dy qytetet dhe gjithë rrethin, ka bërë një punë sabotuese, jo për rrëzuar me qëllim qeverinë Rama, por për të mbushur xhepat e tyre. Kjo vjen, pasi rrjeti brendshëm shpërthen gjithmonë dhe në pika të ndryshme të qytetit, pasi nuk i reziston dot presionit të lart të ujit edhe pse është me rrjedhje të lirë.
Ju si qeveri, nëse dërgoni ekspertët tuaj sot (apo nesër ekspertët e SPAK-ut), për të hetuar punimet, padyshim që do shikojnë një rrjet që nuk vlen, as për të vaditur serat me domate e produkte të tjera!!
Qeveria juaj, çliroi pallatet nga depozitat, pasi fal punës që drejtoi z. Arben Kacorri, u dha ujë 24 orë memaliotëve dhe tepelenasve, madje edhe në çdo fshat. Sot memaliotët, nuk kanë ujë për të pirë, pa le më për t’u larë, pasi shtoj këtu edhe nxehtësinë e gureve të betonit të qendrës, u jep atyre siklete të papërjetuara ndonjëherë, si ato duke u kruajtur në publik, sikur por ndiejnë shenjat e para të pjekjes. Mirë me qeskat e ushqimeve për ndihma që mezi i presin edhe pse ky fenomen, as që mendohej të përjetohej ndonjëherë nga këta banorë, pasi kanë patur mirëqenien më të lartë, në sistemin e kaluar, por tani duhet t’u dërgoni edhe bidona me ujë.
Shprehem kështu, pasi para disa ditësh, dëgjova në media, se qeveria juaj ka dërguar cisterna me ujë të pijshëm, në një nga vendet afrikane. Është për t’u admiruar ky gjest human, pasi ka miliona njerëz që vuajnë për ujë të pijshëm dhe pinë ujë të ndotur kanalesh që në shumë raste, në këto kanale derdhen edhe ato të ujërave të zeza. Që nga ndërrimi sistemeve, e derisa qeveria juaj me investimet e saj vendosi paqen tek memaliotët, për t’i dhënë fund “Betejës së ujit të pijshëm”, banorëve u vinte nëpër rubinetat të tyre, ujë i ëmbël i përzier me atë të ujërave të zeza, pasi rrjeti ishte i amortizuar. Po tani që janë dhënë 500 milion lekë për rrjetin e ri, prapë do rrjedhë nëpër rubineta ujëra të papastra; ujë i pijshëm do të jetë i përzier me ato të zezat.
Zoti kryeministër, Memaliaj nuk është si disa vende të Afrikës (pasi edhe këta janë njerëz dhe nuk duhet të jemi racistë), dhe as afrikanë të Europës që, atyre, të cilëve u ke besuar këtë punë, t’iu bëjnë “nder” memaliotëve, që të mos pinë ujë të ndotur kanalesh, por t’ua u sjellin të tillë nëpër rubineta.
Në fakt, Shqipëria këto 30 vjet trazicioni, nuk ka ndryshuar shumë, në krahasim me disa shtete të Afrikës, të cilat këto të fundit, po t’i hedhim një sy, kanë përparuar e ndryshuar më shumë se ne shqiptarët, që jetojmë në zemër të Europës dhe me një origjinë e kulturë, nga më të vjetrat në kontinentin tonë. Mos vallë pushtuesit, kanë bërë punën e tyre, duke lënë pasardhës fizikë apo shpritërorë, pasi vetëm gjakprishurit që i mallkojnë edhe nënat e tyre, sillen, veprojnë dhe e drejtojnë vendin e tyre si plaçkë lufte, në të kundërt, nuk do ishim në vend numëro, me një hap para dhe dy mbrapa.
Dihet tashmë, se në Memaliaj ka ardhur me kohë fundi i botës, jo ai biblik, por ai i dhuruar nga ata politikanë dhe qeveritë e korruptuara, që në vend të mendojnë sesi ta ndihmojnë këtë qytet të zhytur në varfëri të plotë, bëjnë të kundërtën, duke dërguar fonde, ku gjysmat e këtyre shkojnë nëpër llogaritë e tyre bankare. Nëse do flasim për ngrohjen globale, qyteti i Memaliajt, është i pari që po e përjeton këtë dukuri, falë qeverisë tuaj, që na betonuat qendrën dhe ky beton ndikon në ndryshimin e klimës së këtij qytetit, edhe pse jemi të rrethuar me freskinë e përqafimit të Vjosës dhe gjokseve të maleve përreth. Shprehem kështu, pasi në verë, nxehtësia që lëshon betoni, krijon vranësia dhe shira, sikur Memaliaj është qytet japonez. Ndërsa në dimër, nga ky beton, bëhet më i ftohtë, sikur jemi në majë të malit dhe jo 100 m mbi nivelin e detit. Deri dje, nga klima, vinin edhe pulëbardhat, por në dimër nuk vinë më, që kur mësuan se ka ndryshuar temperatura dhe kanë mbërritur “arinj polar”, ata grabitqar!
Padyshim që urimet e një populli të vuajtur, i dëgjon më shumë Zoti dhe i miraton, ashtu siç i dëgjon edhe lëngimet nga varfëria dhe padrejtësia që u ushtrohet po nga bashkëkombasit e vetë, që i votuan për sjelljet e tyre engjëllore dhe oratorinë e tyre priftërore, por tashmë ata mallkohen, pasi këta plehra dhe koha i nxjerr engjëj djallëzorë! Gurin e mullirit kanë në qafë brez pas brezi, nuk shpëtojnë!
Zoti kryeministër, nuk dua ta besoj, se ju e nuk e keni mësuar në jetën tuaj, se ekziston një qytet me emrin Memaliaj; vetëm kur jeni bërë kryeministër, ju ka ardhur ndërmend?! Edhe pse kjo, më ka ngacmuar në kujtesë, për shumë vite, përsëri ju kam mbështetur në biseda, pasi nga ata kryeministra që kanë kaluar, ju do bënit më shumë për këtë vend dhe si e tillë edhe për Memaliajn. A e dini pse? Sepse padyshim që do gëzoheshit dhe emocionoheshit, kur të mësonit se do zbulonit më së fundi, një qytet të ri edhe pse njihet në Republikë dhe më tej, për pasurinë e saj natyrore, por edhe atë shpirtërore, pasi i ka dhënë shumë jetës së një shoqërie në vend dhe më gjerë, në çdo fushë të jetës, si ato të artit, kulturës, letërsisë, politikës dhe sporteve.
Nuk kam dashur ta besoja, se ju z/Kryeministër, nuk dinit se ku binte Memaliaj; kështu jeni shprehur kur ju keni qenë Ministër i Kulturës, kur në zyrën tuaj, ju kanë ardhur disa sportdashës memaliotë, jo për të kërkuar bukë dhe ujë, por për t’i ndihmuar në kërkesat e tyre që ngrinin në lidhje me sportin e futbollit, traditën tonë të hershme.
U habita, jo se disa nga këta memaliotë u kthyen me lot në sy, pasi ndiheshin tejet të fyer, por nga një padrejtësi shpirtërore, të cilën ju kryet edhe ndaj shpirtit tuaj! Shprehem kështu, pasi ju kishit harruar se futbollisti i mirënjohur i kombëtares, Mujo Takaj që njihej me mbiemrin Targaj, ka dalë futbollist nga shkollat e futbollit memaliot, përfshi këtu edhe ish-portierin e Dinamos që më pas u bë edhe i kombëtares, Foto Strakosha, ku po këtë traditë po e vazhdon edhe djali i tij, Thomai. Janë për t’u përmendur edhe dy portierët memaliotë; Arian Puto, i cili ka luajtur me kombëtaren e shpresave dhe Jorgo Ferro, që ka luajtur me kombëtaren e të rinjve. Janë edhe shumë futbollista të tjerë memaliotë, si Karafil Asllan Caushi, Muharrem Baze, Zane Nika, Novruz Cibuku, Eqerem Braja, Viron Laska, Muhamet Lola, Pëllumb Xhani, Mitat Gërbi, Nazmi Shehu, Dilaver Abazi, Sefi Paza, Elmaz Micka, Neshet Zhupa, Abaz Dedgjoni, Skender Araoi, Mustafa Mustafaraj (Calia), Tefik Lila, Mehmet Muçi, Kol Nikolla, Mihal Dhespo, Asllan Hyseni, Halim Pacani, Aleks Mero, Qirjako Fani, Ferman Haska, Namik Caushi, Vladimir Bushi, Vladimir Hoxha, Flamur Hoxha, Petrit Kocali, Avdulla Muçi, Perparim Goxhaj, Kastriot Lika, Reshat Sala, Ilir Xhemali, Medin Dashi, Mihal Cimi, Viktor Guma, Ilir Seferi, Astrit Goxhaj, Aleksandër Qiqi, Selam Kocali, Asllan Seferi, Vladimir S. Shehu, Luan Muçi, Niko Bektash Caushi, Ndreko Qesko, Margarit Done, Luan Meta, Perparim Hoxha, Milo Gjerko, Gerzim Dervizhi, Novruz Meta, Mersin Beda, Flamur Llaka, Robert Nasi,Perparim Meta, Astrit Hamzai, Edmond Hoxha, Vladimir Dana, Qemal Mateli, Perparim Kalemi, Kastriot Kanani, Kujtim Harizaj, Xhevit Kacorri, Mariglen Hysesani, Arben Shehu, Ferdinant Tafili, Vladimir Zaimi, Ferdinant Goga, Sheme Lulo, Niko Kukumi, Kristaq Maçi, Genci Muçi, Ilia Karalliu, Petraq Karalliu, Bedo Beda, Edmond Brahimi, Vladimir Bega, Sadik Disha, Gjon Kuçi, Flamur Shehu, Altin Zhupa, Ylli Abedini, dhe shumë të tjerë, që nuk më kujtohen për momentin. Të gjithë këta, nuk kishin miqësi dhe njohje, që t’u krijohej një mundësi për t’u provuar dhe të luanin me ekipet e kategorive të para, por nëse ajo kohë nuk do të ishte regjim dikatorial, padyshim që sot, këta futbollistë do të ishin nëpër markato të ndryshme, të futbollit botërorë.
Ka shumë emra edhe në sporte të tjera, por po ju përmend vetem një, atë të memaliotit Arjan Shehu, i cili është shpallur kampion i Greqisë, i Ballkanit, nënkampion i Evropës, në sportin e Taekwon, ku ka ngritur dy herë flamurin shqiptar! Pa harruar të përmend edhe mjeshtrin e këtij sporti, Julian Caca, cili ka ka dal 4 herë kampion kombëtar nē Shqipëri dhe 5 herë, kampion nē kupat e hapura të Greqisë. Kontributi i tij vazhdon edhe si trajner kryesor i kombëtares së vendit tonë, po në sportin e Taekwon, ku si kombëtare, ka arritur të fitojë 5 medalje ari në “Kampionatin Ballkanik” dhe 2 medalje ari në “Kampionatin Europian.”
Aktorët e mirënjohur, Birçe Haska, Vasil Vaso, Mehedin Malka dhe Agron Llakaj .. hapat e para i kanë hedhur në shkollat e aktrimit memaliot, pa harruar se edhe aktori i mirënjohur, Kastrio Caushi, është larguar 7-vjeç nga Memaliaj. Po të interesoheshe në kohën që ke qenë Ministër Kulture, padyshim që do mësoje më shumë edhe për emrat e aktorëve të tjerë, si: Maliq Lilaq, Sotir Sotiriu, Fatmir Meçe, Agim Lika, Myzafer Abedini, Eqerem Goga, Rako Laska, Fahrie Qendro, Faslli Qibini, Luan Qibini, Ilir Nikolla, Gjon Dervishi, Sejmen Gjonkoli, Tomor Xhani, Adriatik Hysesani, Mine Guca, Pëllumb Xhaferi, Bilbil Meta, Gëzim Mullaraj, Shyqyri Malkaj, Jorgo Boli, Bashkim Ziaj,…etj. Nuk duhet harruar aktori dhe regjizori profesionist, i mirënjohur i kësaj trupe, z. Agim Lika, ku me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, e ktheu kinoklubin në një Akademi aktrimi, ku disa nga këta aktorë, mësuan të aktronin të sigurt dhe të një niveli profesionist! Këto vitet e fundit, është edhe imituesi i zërave, memalioti me moshë të re, Arsen Gjonçaj, i cili imiton me origjinalitet, të gjitha dialektet dhe të gjithë personalitetet në fusha të ndryshme, duke ndjekur kështu trashëgiminë e të mirënjohurit Agron Llakaj. Nëse Agroni do i japi një mundësi, këtij djaloshi të talentuar, për të debutuar qoftë edhe një herë të vetme, padyshim që do të kemi një ndër imituesit më të mirë dhe që do të imitojë origjinal edhe juve z/kryeministër.
Padyshim që do mësoje edhe për aktorin, kompozitorin, muzikologun, udhëheqësin artistik dhe njohësin shumë të mirë të folklorit tepelenas e më gjerë; studiuesin dhe ngritësin e grupueve artistike e polifonike, z. Fatmir Meçe, ku bashkë me disa nga këngët e tij, jan kënduar edhe nëpër festivalet e këngës kombëtare të Folklorit të Gjirokastrës. Ndërsa i nipin e tij, kompozitori Dritan Xhaferi, ka punuar për disa vjet si redaktor muzike në RTSH, dhe ka patur edhe një program në këtë kanal televiziv, që merrej me studimin dhe promovimin e këngës popullore nga treva të ndryshme të vendit.
Këngëtarët e talentuar, Albert D. Zhupa, Petref Goxhaj, Burbuqe Vrenozi, Mariza Muçi, Ilirjan Çibuku, Arben Vrenozi, Bashkim Deshiku, Fatos Vrenozi, …etj, të cilët do të ishin shumë të dëgjuar në sitemin e kaluar, nëse do të kishin pak fat dhe mbeshtetje për të kënduar në festivalet e RTV. Shprehem kështu, pasi mbaj mend dhe e kam dëgjuar, kur këngëtarët, e mirënjohur, motrat Lindita dhe Bruna Sota, por edhe Koszma Dushi, Petrit Lulo, …etj, të cilët vinin e këndonin si të ftuar nëpër anketat muzikore që organizoheshin e shfaqeshin në Memaliaj e Tepelenë, për 2-javë rresht, pasi elektrizimin që u jepte sallës artëdashësi memaliot, nuk e kishin ndeshur në asnjë vend të republikës. Ata mrekulloheshin dhe habiteshin edhe me zërin e këtyre këngëtarëve memalioitë. Madje, kur këngëtari Ilirijan Çibuku. këndonte ndonjë këngë të Kozma Dushit, dhe ky i fundit, kur e dëgjonte interpretimin e këngës së tij, përtej të shkëlqyerës, përveç impresionimit, ai i shprehte vlerësimet e tij maksimale, dhe i vinte keq, që një këngëtar me zë kaq të bukur, nuk kishte mundësi të shpaloste talentin e tij, si shumë profesionistë të tjerë. Më vonë dolën edhe talente të reja, që këndojnë me grupet e tyre, si: Flamur Cana, Ylli Baka, Alket Zaimi, Endrit Hamzaj, Donald Haxhiaj, Pluton Mema, Polo Nexhipi, …etj, ku disa prej tyre, por edhe me grupet, kanë debutuar në disa nga festivalet kombëtare.
Po ju kujtoj edhe të mirënjohurin, poetin, aktorin dhe folkloristin Maliq Lila, i cili është, jo vetëm një laurant i të gjitha Festivaleve Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës, por edhe autorë i shumë teksteve të këngëve që këndohen nga grupe të ndryshme dhe të dëgjuara në vendin tonë.
Besoj se tek gazeta letrare “Drita”, që botohej në sistemin e kaluar, duhet të kesh lexuar edhe krijimtari nga poetë dhe shkrimtarë memaliotë, si: Izet Çulli, Prof. Dr. Martin Cukalla, Çerçiz Myftari, Belul Arapi, Timo Bushi, Vasil Vasili, Luan Meta, Novruz. Xh. Shehu, dhe më vonë Dhori Thanasi, Luljeta, Nuro (Kubati), Xhezo Canaj, Fatjon Thanasi, Enkelejda Fejzo, Thanas Hoda, Limo Pazaj, Sejmen Gjokoli, Qirjako Naqellari, Pro. Dr. Alqi Naqellari. Ilia Laska, Artur Hasani, Danel Cana, Klodiana Metushi, Xhafer Majko, Luan Zilfo, Luljeta Gjosha (Pashollari), Flora Kopela (Muçi), Manushaqe Cela, Adriatik Xhemali, …etj, të cilët kanë butuar shumë vëllime me poezi, prozë, filozofi, publicitet, fabula, studime historike, shkencore dhe tekste shkollore. Për kujtes, Vasil Vasili është edhe një ndër eseistët më të mirë që ka sot vendi ynë. Ndërsa, Novruz Xh. Shehu, është i mirënjohur gjithashtu, edhe në elitën akademike të vendit tonë, pasi si studiues, bëri të mundur përgatitjen dhe botimin e “Enciklopedisë Tepelena”, e cila është e para në Shqipëri, për nga modeli, pasi vendi ynë akoma nuk ka Enciklopedi edhe pse Akademia e Shkencave, ka dekada që është ngritur dhe nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, përveçse studime të tjera për të justifikuar edhe pagën e tyre. Por ishte ky memaliot, që dha shembullin e tij, ku me anë të “Enciklopedis Tepelena”, jep, jo vetëm kontributin e tij duke e sjellë si një gurë të parë themeli këtë Enciplopedi, por edhe për t’i frymëzuar edhe ata të Akademisë së Shkencave, për ta marr si projket, që koha e kërkon të zbatohet me domosdoshmëri. Krijuesi Dhori Thanasi, i cili ka shkruajtur qysh herët në rininë e tij dhe që lexohej nga një rreth i ngushtë i shoqërisë dhe të afërmve të tij, pasi shkruante, jo për t’i botuar, por më shumë për kënaqsin e tij, pas ndërrimin të sistemeve, përveç botimeve të tij, njihet si i pari krijues, që ka bërë të mundur, për herë të parë botimin e një “Antologjie poetike” me poetë nga diaspora e Amerikës. Ajo që dua t’iu vë në dijeni, është se krijuesi Dhori Thanasi, ka përgatitur për botim, edhe një krijim-studim për gjuhën shqipe, e cila është e para në këtë zhanër dhe nga më të veçantat, që është me shumë interes të financohet për botim nga Minitsria e Arsimit dhe të bier në duart e studjuesve të Akademisë së Shkencave, të cilët, jo vetëm duhet ta promovojnë, por edhe ta vendosin, si tekst shkollor, për t’u studiuar nga studentë për Gjuhë-letërsisë. Në fushën e artit, kan dhënë kontribut të veçantë edhe dy djemeve të tij, Fotjon dhe Orson Thanasi, të cilët hapën një emision radiofonik, vetëm për muzikën Metalike, e cila ishte e para në Tiranë dhe gjithë vendin. Kjo u bë mundur, pasi që të dy vinin nga Greqia dhe me njohuri të thella si instrumentista dhe kompozitorë këngësh.
Padyshim, që nëpërmjet ekranit, e njihni edhe, ish spikeren e mirënjohur të edicionit të lajmeve, Jonida Shehun, e cila sot ka dhe emision e saj televiziv, “Soriee”.
Ju jeni dhe piktor, dhe padyshim që duhet të dini edhe për piktorët dhe skulptorët memaliotë, si: Josif Hoxha, Josif Gjici, Namik Caushi, Angji Zhupa, Artur Hasani, Gjergji Meta, Përparim Haxhiaj, Aleksandër Cui, Keller Mullaraj, …etj, të cilët kanë punuar para ndërrimit të sistemeve, dhe vazhdojnë të punojnë ende nëpër botë, duke i lëvruar të gjitha stilet e pikturimit, që nga realizmi, romantizmi, surrealizmi, skspresionizmi, artit bizantin, abstraksionizmi, …etj
Padyshim që nëpër botë, ka edhe fëmijë memaliotë, me origjinë nga ky qytet, që shkëlqejnë në fusha të ndryshme të letërsisë, artit dhe të sportit. Në qershor të vitit 2017, memalioti Kristi Gjerko, besoj se ju beri krenar, me ngritjen e flamurit shqiptar në Manhattan, pasi doli ndër të parët, në një olimpiadë botërore që quhej “Genius Olympiad”, ku prezantoi projektin e tij për kategorinë “Art dizanjimi në informatikë”. Një tjetër student memaliot, që quhet Thoma Kristo, i cili mori pjesë në një konkurs ndërkombëtar në Uashington DC, na nderoi duke ngritur flamurin shqiptar ku valëvitej krenar për fitoren. Ndërsa për studentin e shkëlqyer, Joan Mihali, i cili banon në Zvicër. ku edhe studion në një nga universitetet e saj për inxhinieri elektronike e komunikim digital, gazetat rajonale shkruajnë, duke e quajtur atë, Aishtajni. Po ju vë në dijeni edhe për amerikano-shqiptarin, David Sheriff Ismailati, i cili që në moshën 5 vjeç e 4-muaj, u vlerësua nga mësuest e ciklit të ulët, të cilin i bëri të mundur që në këtë moshë të shkruante për nivelin e klasës së tretë dhe të lexonte libra me kapituj, ku bëri të mundur që në këtë moshë të shkruante dy poezitë e para të tij, Në janar të 2007, po këto dy poezit në anglisht “The Night” dhe “The stars”, janë aprovuar unanimisht nga komisioni i “Library of Congress”, dhe u bënë pjesë e fondit të kësaj librarie. Ky rastë është i pari i një fëmije që të arshivohet në këtë librari prestigjioze, pasi nuk kishte të arkivuar deri në atë vit. Informacioni na u konfirmua nga punjonjësit e kësaj librarie. Padyshim që janë shumë të tjerë, por që nuk mund t’i sjellim të gjithë në këtë shkrim.
Nuk duhet të harrosh edhe politikanin, Gramoz Ruçi (ish komshiu im i mrekullueshëm), filloi të ngjiste shkallët e karrierës, kur ai ishte memaliot e deri sa arriti ku është sot, ku padyshim iu ka ndihmuar edhe ju që në hapat e para e deri aty ku gëzoni postin e kryeministrit edhe sot.
Janë të shumtë figurat që ka nxjerr ky qytet, të cilat nuk mund t’i sjellim të gjitha në këtë shkrim, por ju keni qenë Ministër i Kulturës, dhe padyshim që duhet të ishit të mirinformuar, për çdo trevë të Shqipërisë, aq më mirë, nëse do dinit akoma më shumë, për të gjitha trevat shqiptare, që sot ndodhen jashtë dhe të shkëputur nga trupi i kësaj toke, ku ne po ligjërojmë, dhe disa të pabesë, xhepat po i mbushin, e fiset e tyre me të vjedhur po i pasurojnë! Meqë jemi këtu tek qyteti Memaliajt! Padyshim që nuk e dini historinë e toponimit Memaliaj, që rrjedh këtu e para 5 shekujsh, ku ato familje autoktone, banojnë edhe sot. Ata banojnë mbi një truall, ku ka gjurmë arkeologjike, të cilat datojnë qysh nga shekulli i V-të p.r.s dhe njihej me emrin Hora.
Falë rastësisë, hulumtimet e mia, të cilat shpresoj t’i lexosh një ditë, datojnë mijëra vjetë më parë, ku mendohet të jemi vizituar dhe përdorur si stacionar edhe nga hyjnorët, të cilët ne i quajmë edhe jashtëtokësorët! Ju duket e çuditshme, por do e vërtetoj edhe në sajë të gjurmëve e toponimeve, për aq sa edhe studiuesve të tjerë, u jepet mundësia të mbrojnë hipotezat e tyre në lidhje me këtë fushë.
Janë po këta memaliotët të panjohur për ju, që iu kanë besuar e votuar, por për shkatërrimin dhe betonim e qendrës, iu duruan; për papunësi dhe varfëri të tejsakjshme ku ka edhe humbje jete, iu kanë duruar; por të durojnë në pritje të gjatë, për të një pikë uji, nuk munden, pasi nuk durojnë foshnjet pa u larë dhe pa pirë. Bëjini mirë llogaritë z/kryeministër dhe mos besoni disa sharlatanë, që të marrin në dorë fatet e një populli të dashur dhe mikpritës, të cilët ju kanë besuar për një jetë më të mirë, dhe jo për të humbur jëtën nga pak e çdo ditë!
Pastaj, Memaliaj, në kohën e sistemit monist, përveç cilësisë së qymyrit, që radhitej e treta në botë për nga pastërtia dhe fuqia kalorifike, njihej si qyteti i dytë në botë, pas atij të Kukësit të ri. Kukësi i ri, njihej si i vetmi në botë, që nuk kishte asnjë shtëpi private, ndërsa ai i Memaliajt, pasi kishte vetëm një shtëpi private, atë të veteranit të LANÇ-re, Haki Kamberi. Këto ishin nëpër pyetjet e konkurseve që bëheshin nëpër kanalet e ndryshme televizive të botës. Padyshim që edhe ju jeni gëzuar në monizëm, kur u bë e ditur në mbarë median e vendit dhe asaj ndërkombëtare, se kjo republikë u bë 3-milion, dhe tre milionshi u lind në Memaliaj dhe ishte memaliot. Ju nuk mund ta harronit Memaliajn, aq më shumë, kur një shoku im dhe (ish) shoku i klasës suaj të liceut, piktori Artur Hasani, është memaliot. Unë e kuptoj ironinë tuaj, por edhe qesh me batutat tuaja, edhe pse në disa raste, nuk janë aq pikante, por më kujtojnë jetën e memaliotëve, që fillonin t’i përdornin që në moshën 5-vjeç dhe kur bëheshin 16-vjeç, kishin Show-n e tyre në një nga cepat e mapove në qendër të qytetit, buzë Vojsës në kohë vere, apo qosheve, nëpër lagjet e tyre. Aq shumë humor, saqë çdo lagje kishte trupën e saj të Estradës dhe të Teatrit, ku konkurronin me njëra-tjetrën.
Më vjen keq kur ju kam dëgjuar të shpreheni se në Tiranë, (pasi ju prishët Tetarin Kombëtar), se kishte shumë tiranas që nuk shkonin në atë Tetatër, për kushtet, por edhe se nuk ishin aq artdashës. Shprehem kështu, pasi memaliotët më vonë, patën kinoteatrin më modern në Jug, që konkurronte me ato të kategorisë së parë, siç ishte ajo e Durrësit, pasi ne e kishim edhe me skenë rrotulluese. Nuk linim asnjë shfaqje me aktorë vendas dhe trupave të ndryshme të vendit, ku bënte pjesë edhe ajo e tetarit kombëtar, të cilat jepeshin për më shumë se një javë, dhe ne futeshim për ta parë më shumë se një herë. E donim aq shumë tetarin, saqë në Memaliaj, ashtu siç kishte familje të tëra futbollistësh, këngëtarësh, muzikantësh, stilistësh në prerje e qepje rrobash, notarësh, sportistash të sporteve të rënda, gjuetarësh, …etj, kishte edhe familje teatrale, siç ishte familja Maçi, e cila me pjesëtarët e saj, Lulo, Qejvan, Levend, Miço, Margarita, Liljana dhe Liria, arriti të vinte disa herë në skenë, pjesë teatrale të ndryshme dhe të interpretuar me një nivel të lartë e të admirueshëm, jo vetëm nga vetë memalotët, por edhe aktorë e rregjisorë të tjerë që kishin patur fatin t’i shikonin këto shfaqje.
Këta janë memalotët, që kishin mirëqenie dhe nuk kishin lënë vend të Shqipërisë pa shëtitur dhe shumë prej tyre i ndalonte edhe policia, pasi nga veshjet i ngatërronin edhe me turistat.
Ju mund të buzëqeshni, ndoshta edhe me ironi, por unë po qesh për momentin, … pasi seç m’u kujtua për momentin në lidhje me çfarë u shpreha për turistët memaliotë, Jo më larg, por në qytetin e Tepelenës, në fundin e viteve ’80, kam qenë bashkë me vëllan tim Agimin, duke pritur firzamonikën e linjës Tepelenë-Memaliaj, në krah të Hotel Turizmit të këtij qyteti. Në parmakun e fundit, në cep të hotelit, ishte ulur një djalosh me flokët të lëshuar si bisht pëllumbi, me syze miopi të mbajtur me skelet fine, veshur me pantallona të bardha model reks, një këmishë gri me cërka të bardha dhe një xhiboks doku ngjyrë bezhë të cilin e mbante të palosur në parakrahun e dorës së majtë. Na u duk si fytyrë e njohur, por pak rëndësi i dhamë, pasi jabanxhinj hesapi dhe e ka zënë rruga në këtë ditë pranvere.
Tepelenasit bënin xhiron e mbasdites, grupe burrash të rreshtuar si dekore, apo barrikada të lëvizshme. Aty, herë-herë shikoje edhe çifte. Na ra në sy sesi edhe një çift mjekësh që i njihnim, ku u tërhoqi vëmendjen ky djalosh, por më shumë zonjës, e cila ecte dhe e kthente kokën mbrapa, herë pas here. Ky gjest e shqetësoi burrin e saj dhe ai e pyeti: “Çfarë ke, që të ngeli koka mbrapa?” “Asgjë, por ai djali më duket si i njohur dhe diku e kam parë!”, i përgjigjet ajo! “Hajde se do jetë ndonjë rrugaç memaliot, që pret urbanin”, ia kthen bashkëshorti i saj. Ne qeshëm dhe iu drejtuam fizarmonikës që sapo kishte mbërritur, por djaloshi nuk lëvizi fare. Të nesërmen, në lajmet e “famshme” televizive, pamë që të transmetohej se këngëtari Al bano Carrisi, kishte mbërritur në Ksamil dhe po jepte një intervistë. Ne qeshëm për këtë dhe të nesërmen, vëllai shkoi përsëri në Tepelenë dhe aty takon djalin e këtij çifti, të cilin e njihte dhe shoqërohej shpesh. Edhe ai, ja tregoi historinë e prindërve, siç kishte ndodhur në realitet dhe kishin qeshur me të madhe. Nëna e tij, është shtetase italiane dhe martuar me shqiptar, siç ndodhte në atë kohë edhe me çifte të tjerë.
Meqë takoheni shpesh me kolegun tuaj, z. Gramoz Ruçi, pyete (nëse i kujthet) për grupin e memaliotëve prej 15 vetash: Përparim Meta, Agim Ismailati, Albert Malka, Albert Mirta, Ernest Çela, Pajtim Çela, Genci Muçi, Gjoni Kuçi, Edmond Goxhaj, Asllan Goxhaj, Adriatik Mirta, Adriatik Mema, Genti Hoxha, Edmond Ismilati (stilist dhe rrobaqepës privat në atë kohë), të cilët ishim veshur me pantallona të shkurtra, dhe kemi kaluar përpara Hotel Turizmit të Tepelenës, pasi shkonim për në Ujë të Ftohtë, për turizëm lokal. Ai ka qenë me shumë të tjerë, pasi dukej që sapo kishte mbaruar një mbledhje dhe kur ne kaluam, u vendos një heshtje duke na shoqëruar edhe me vështrime. Gramozi na njohu të gjithëve dhe pas disa minutash, vendosëm të iknim me këmbë, pasi kishte edhe shume tepelenas që ecnin bashkë me ne! Në dalje të agjensisë, përgjatë ecjes, shumë pranë nesh, na ndalon një makinë e tipit “Aro” dhe aty na foli edhe Gramozi, ku na pyeti mua dhe vëllanë, nëse deshëm të hipnim në makinë, pasi për andej e kishte edhe rrugën. E falenderova dhe nuk hipa, pasi nuk do sillte ndonjë ndryshim, ngaqë nuk doja të ndahesha nga grupi. Ishte akoma sistemi i kaluar, dhe ne memaliotët kishim sfidat tona, por edhe vetë Gramoz Ruçi ishte një politikan liberal dhe ishte po ai që foli i pari, për të sjellë ndryshme në rreth, siç ndodhi në gjithë Shqipërinë. Në Tiranë, një djalë me emrin Hivi (apo Ivi), dilte me pantallona të shkurtëra dhe juve shikonit të gjithë si të habitur, por ty, edhe pse të binte rruga për në Jug, nuk ktheheshit në Memaliaj për të parë më shumë, por mjaftoheshit vetëm me një kthim koke.
Në Memaliaj, nuk habiteshin si tiransit dikur, kur shikonin një djal me pantallona të shkrutra dhe lahej ndonjëherë tek ish shatërvani në sheshin “Skënderbe”, e më pas e merrnin uniformat blu të policisë duke e mbajtur disa orë (ndonjëherë edhe e rihnin) dhe e nxirrnin, pasi më duket se kishte vëllan, që punonte me ndërhyrjen e shpejtë. Hivi u bë i njohur, se në atë kohë kishte të dashur, një vajzë shumë të bukur çeke, biëj nga një prej familjeve që punonin në ambasadën Çeke. Këto biseda i kam bërë edhe me memaliotin, Artur Xhaferi, të cilin e gjeta rastësisht përpara portës verilindore të Bankës së Shtetit Shqiptar, duke bërë shërbim, pasi shërbimin e detyruar ushtarak në atë kohë, e ka bërë i veshur polic. Fati më çoi dhe u befasova kur e pash, pasi asqë nuk e dija dhe nuk ma priste mendja që ta takoja në Tiranë, e aq më shumë me uniforme policie. Aty ra biseda edhe për historitë Hivit, pasi sytë na shkonin nga shatervani. I thash se do të shkoja të hidhesha me kokë, pasi e shumta që do më bënin, do më mbanin disa orë, përfshi edhe të rahurin? “Jo” – u përgjigj ai, duke këmbëngulur disa herë, për të më ndryshuar mendimin.
Në fakt, më ka bërë nder, pasi nuk ja vlente dhe do i bëja dëm vetëm vetes. Ndërsa në Memaliaj, kanë dal xhiro nëpër qytet edhe me rroba banjo, si ktheheshin nga Vjosa. Të duket çudi, por po të jap vetëm një emër. Kujtim Guma e quanin, ndjesë pastë, i shoqëruar në krahë edhe me M. Halilin, A.J.Zhupën, Q, Lika, P. Balliun,..etj, të cilët ishin të veshur normal. Nuk i bënte asnjërit përshtypje, madje as edhe 4-5 policëve që kishte qyteti. Ju përmend emra, pasi janë të vërteta dhe jo fantazi. Nuk mund të përmend emrin e një socialisti të thekur memaliot, i cili pas zgjedhjeve lokale të Qershorit 2015, ngeli pa punë edhe pse i kishte dhënë shumë PS, si militant, deri aty sa kishte siguruar edhe dy vido, që tregonin qartë me zë dhe figurë, sesi të dërguarit e Shtabit Socialist, kishin manipuluar me kutinë e votimit, në nja nga qendrat e votimit. Donte të ma dërgonte, për ta publikuar në shenjë hakmarrje, por nuk pranova. E para: pasi edhe ai vetë, nuk donte që t’i dilte emri, por i sugjerova, që ta zhdukte këtë vidio pasi do kuptohej, ngaqë vetëm ai nuk do ishte në këtë vidio. E dyta: Me të dy kandidatët konkurues, kam të bëjë dhe nuk është faji i tyre, nëse shtabi i fushatës vendos të vjedh votat, për të realizuar premtimet në qendër dhe të jenë krenar e ballë lart për të kërkuar e realizuar qëllimet e tyre personale. E treta: Nga emrat që dëgjova, kishte edhe nga ata që i njoh, pasi jam rritur me ata dhe nuk do fitonte asnjëri në këtë mes. Të fundit do ta lexosh në vazhdim. Tani janë qetësuar gjërat, pasi militanti, ka gjetur një cop punë për të ushqyer familjen dhe nuk e di si e ka siguruar, duke u vlerësuar për militantizmin e tij, apo u ka bërë presion. Nuk e kam dëgjuar se çfarë bëhet, që nga ajo ditë, por pak rëndësi ka. Ajo që ka më shumë rëndësi, është se kam bërë shumë mirë që nuk u mora me këtë çështje, pasi hajdutët e të gjitha partive, vjedhin dhe zihen për ndarjet e qeseve, dhe nuk e meritojnë mbortjen e sinqeritetin. Me këtë rast, humbëm edhe një rast, që Memaliaj do bëhej më e famshme…qesh, ku do të bëhej shumë e njohur edhe për ju!
Janë të shumta historitë për memaliotët dhe nuk kemi kohë t’i shkruajmë, por meqë ju keni qenë Ministër i Kulturës dhe sot kryeministër, nuk keni bërë asnjë përpjekje për të fituar të drejtat e testamentit që ka lënë për Shqipërinë, shqiptari dhe humanisti me famë botërore, Vangjel Zhapa dhe i afërmi i tij, Konstandin Zhapa. Atë që nuk e bëtë ju dhe ministra e kryeministra, që nga koha diktaturës e deri më sot, e bëri memalioti, skenografi Vangjel Thoma Kokoli, i cili është me origjinë nga vendi i Konstandin Zhapës. Memalioti, Vangjel Thoma Kokoli, me anë të “Lëvizjes Zhapa”, që ai themeloi që nga viti 2010 dhe e drejton me përkushtimin më të madh, bëri të mundur që të fitojë dy gjyqet (atë të 24.05.2020 dhe 02.24.2020) në lidhje me këtë testament, për moslejimin e shitjes dhe dhënies me qira të “Pallatit Zhapa”, pasi janë në kundështim me testamentin dhe është drejtë betejës finale, për të fituar të drejtën e fondit vjetor të testamentit, që ka lënë për disa nga trojet shqiptare në Jug të vendit. Këto të ardhura, nuk jan marr për afro 80 vjet, jo se nuk kan dashur qeveritë shqiptare, por nuk kanë mundur dot, të fitojnë as edhe një gjyq. Pra atë që nuk e bëri dot shteti Shqiptar, po bënë një memaliot. Pra këta janë memaliotët, me vyrtyte të rralla dhe unike.
Zoti kryeministër, meqë Memaliaj është zonë e gjelbër për nga virusi “Korona”, varfëria, uria, papunësia, ujë me “bollëk”, shkoni dhe shikoni gjendjen dhe atëherë do të ndjeni sesa shumë do tronditeni e do te largoheni!
Me vjen mirë që je tiranas dhe me fat, pasi nga një katund i vogël, befas i buzëqeshi fati dhe na u bë kryeqytet, në të kundërt, akoma me shallvare. Por harroni që katundi Tirana, në 6 Janar mbushi 100 vjet, dhe del që të jetë 20 vjet, më e vjetër se Memaliaj, ky kryeqytet i Jugut që banohej me banorë të ardhur prej Kosove e deri në Çamëri. Në Memaliaj, kanë banuar edhe disa familje me origjinë greke, shtetas grekë, komunë, italian, kanadez, amerikanë dhe francezë, pa harruar për disa vjet, edhe banimin e familjeve të inxhinierëve polakë, kinezë, shto këtu edhe ndonjë mësuese ruse. Edhe pse shumë prej këtyre që hodhën themelet e para të qytetit, u ishte dhënë mundësia për të banuar dhe vazhduar ndonjë shkollë në Tiranë, zgjodhën Memaliajn, për vete dhe pasardhësit e tyre.
Je me fat zoti kryeministër, që nuk je lindur në Memaliaj, se duhej të ishe shumë i përgatitur për të bërë luftë ma batuta, në të kundërt, do hidheshe me kokë te shkëmbi Adushit, nëse nuk do t’i rezistoje dot bullizmit edhe pse memaliotët janë shumë të kujdesshëm në këtë drejtim, pasi jetonim si një familje e madhe.
Këta janë memaliotët, e jo si disa kokëpalarë, që kanë fituar pozita në partitë kryesore, dhe sot na dalin si shpëtimtarë dhe milionerë të paparë, ku ende janë të pangopur duke abuzuar me fondet shtetërore, për të kaluar fitimet dorë më dorë, deri tek ai në instancën më të lartë.
Para se ta mbyll, desha t’ju them se kam dëgjuar se kryetari bashkisë, për të shmangur këto probleme me ujin e pijshëm, po përpiqet për ta ndarë ndërmarrjen e ujësjellësit, duke patur të vetën, secila bashki, por ka dal një problem tjetër! Është problem për të gjetur një drejtor të ri, pasi askush nuk i del zot për ta marr drejtimin, ngaqë janë të tmerruar me rrjetin e ri dhe nuk duan të mbahen mend për keq në histori. Kjo tregon qartë se, shkarkimi i z. Arben Kacorri, ndodhi për arsyen se nuk mund të përfitonin nga fondet dhe t’i përgjysmonin ato, pa zgjedhur një drejtor tjetër të përshtatshëm me kushtet e lojës…
Besoj se u argëtuat sadopak z/kryeministër, me çfarë ju shkruajta më lart, por duhet të keni parasysh se jeta është më e shkurtër se lavdia, prandaj duhet të përpiqemi më shumë për jetëgjatësinë dhe përjetësinë e kësaj të dytës, për të mos na gjykuar koha dhe marr në pajë, mallkimin e brezave.
Shqipëria, është e bekuar nga Zoti dhe ende e dënuar dhe e plaçkitur nga shqiptarët gjakprishur dhe me pushtetet!
Edmond Ismailati
New York, 29 Qershor 2020.