Kosova Memli Krasniqi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Memli Krasniqi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Memli Krasniqi është kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës.

469 delegatë të Konventës së dhjetë zgjedhore të PDK-së e zgjodhën Krasniqin në krye të partisë, ndërsa shtatë delegatë ishin kundër zgjedhjes se tij për kryetar.

Në prezantimin e platformës së tij politike para delegatëve të Konventës së dhjetë zgjedhore, Memli Krasniqi u shpreh se PDK-ja është shtëpi e çlirimtarëve, intelektualëve, patriotëve e vizionarëve dhe do të nisë një kapitull të ri siç i ka hije, duke respektuar pafundësisht të kaluarën, të tashmen dhe kontributin e secilit.

Sipas tij, PDK-ja nuk do të ndalet asnjëherë, edhe pse nuk është aspak e lehtë të ndiqet rruga e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit.

Ai paralajmëroi hapje të partisë dhe reforma si një prej shtyllave kryesore me të cilat ka synim të rrugëtojë në krye të PDK-së.

Kush është Memli Krasniqi

Rrugëtimin e tij politik, Memli Krasniqi e nisi në vitin 2004, ku u angazhua në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), fillimisht duke drejtuar Qendrën për Studime Politike që ka funksionuar në kuadër të kabinetit të kryetarit të partisë, Hashim Thaçi.

Më pas, Krasniqi është emëruar udhëheqës i Departamentit të Rinisë në këtë parti, ndërsa në tetor të vitit 2006 është zgjedhur Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës.

Po kështu, ai ka qenë anëtar i Kryesisë së PDK-së.

Ndërsa në vitin 2007, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Kulturë, Rini dhe Sport. Në tetor të vitit 2008, ai është emëruar Këshilltar Politik kryeministrit dhe Zëdhënës i Qeverisë.

Krasniqi është rizgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, ndërsa është emëruar ministër në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport në shkurt të vitit 2011.

Në shkurt të vitit 2013, Krasniqi është zgjedhur nënkryetar i PDK-së për Çështje Organizative dhe të Rinisë.