Shqipëria do t’i ketë shpejt satelitët e saj dhe dronët e saj inteligjentë. Kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur para gazetarëve për dërgimin e satelitëve, që sipas tij do të shërbejnë për kontrollin dhe administrimin e territorit të vendit për të monitoruar emergjencat civile, zjarret, por edhe luftën kundër krimit, por përjashtoi veprimet ushtarake.
“Kini durim. Qeshni, Shqipëria do të ketë satelitë për të forcuar kontrollin mbi territorin dhe do të ketë edhe dronin inteligjent për ta çuar vendin në nivel tjetër administrimi të territorit të vet dhe këto janë mjete të një teknologjie të re që garantojnë monitorim të territorit, që nga kufijtë, ndërtimet, monitorimi i lidhur me informacionin që i duhet strukturave të shtetit kundër trafiqeve dhe përpjekjve për të zeruar plotësisht kultivimin e narkotikëve dhe për shumë edhe për të luftuar krimin e organizuar duke pasur kapacitete monitoruese të paimagjinueshme dhe për të lehtësuar marrëdhëniet në territor dhe që shpeshherë kompromentohen nga inspektorë e punonjës policie të korruptuar. Dhe e mira e kësaj kohe të teknologjisë së lartë nuk ka nevojë të jesh vend i zhvilluar për këtë kapërcim epokal. Shqipëria do t’i ketë shpejt satelitët e saj dhe dronët e saj inteligjentë.
Për zjarret, për emergjencat civile dhe përdorimi i këtyre mjeteve do të jetë çështje që kanë të bëjnë me punët civile të vendit dhe luftën kundër krimit të organizuar jo për veprime apo ofensive ushtarake”.