Kryesore Pazar me Bashën?! Rama: Zgjatja e organeve të vetingut është domosdoshmëri

Pazar me Bashën?! Rama: Zgjatja e organeve të vetingut është domosdoshmëri

I pyetur nëse ka një pazar me kryedemokratin Lulzim Basha, për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut në këmbim të reformës territoriale, Rama u përgjigj se zgjatja e organeve të vetingut është një domosdoshmëri.

“Zgjatja e organeve të vetingut është domosdoshmëri që vjen si rezultat i një procesi që tregon sa i vyer është për pastrimin e llumit nga sistemi i drejtësisë dhe ky proces nuk mund të ndërpritet dhe reforma në drejtësi është një reformë e bazuar në partneritet me ndërkombëtarët dhe aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE” .

Sipas Ramës, Reforma në Drejtësi nuk ka kthim pas dhe kush i bie ndesh, i bie ndesh të ardhmes së vendit.

“Reforma në Drejtësi s’është për t’u negociuar, por për t’u kryer. Është shumë e qartë për të gjithë që kthim mbrapa nuk ka dhe kush i bie ndesh Reformës në Drejtësi, i bie ndesh të ardhmes së vendit. Reforma në Drejtësi nuk është kërkesë partiake, por historike, kombëtare, për të gjithë fëmijët e këtij vendi, ndërsa të tjerat, janë çështje që do të diskutohen. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo gjë me PD-në”.

Partia Socialiste do t’u japë shansin shqiptarëve që të përfshihen në familjen politike, duke thyer barrierat, u shpreh Rama kur u pyet në lidhje me ofertën e bashkëqeverisjes me PD-në.

“PS është në proces reflektimi se proceset e reflektimit na kanë garantuar që të qëndrojmë në lartësinë e pritshmërive të publikut, por vetëpërmirësimi është domosdoshmëri për një forcë politike që merr përsipër të drejtojë vendin. Ne jemi sot përsëri në qeveri si forcë e vetme, por nuk do ta harrojmë për asnjë moment se në qeveri ne nuk na kanë sjellë votat e anëtarësisë sonë, por një shumicë dërrmuese shqiptarësh dhe ne do t’u japim shansin të përfshihen në familjen tonë politike duke thyer barrierat dhe t’u japim mundësi shqiptarëve të ndjehen mirë për sa u takon, jo se ne nuk bëjmë gabime, por bëjmë gjithmonë më të mirën tonë”.

I pyetur për opinionin e Komisionit të Venecias për zgjedhjet vendore, Rama tha se nuk vendos qeveria për këtë çështje.

“Për këtë, nuk duhet të më pyesni mua, por kë i ka në dorë këto punë. Unë nuk e kam në dorë këtë punë. Qeveria nuk vendos si bëhen këto procese. Proceset normalisht duhet të ishin me kohë, por nuk di të jap përgjigje për të”.