Një Mercedes jashtëzakonisht i rrallë ka thyer rekordin botëror duke u bërë makina më e shtrenjtë që është shitur ndonjëherë në ndonjë ankand, sipas Sotheby’s.
Mercedesi Coupé 300 SLR Uhlenhaut, prodhim i 1955 dhe i dyti në llojin e vet, u shit për 135 milionë dollarë në një ankand privat në muzeun Mercedes-Benz në Shtutgart të Gjermanisë më datën 5 maj.
Kjo shifër është rreth tri herë më e lartë sesa rekordi i mëparshëm që mbahej nga një Ferrari i vitit 1962, që u shit 45 milionë nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s.
Makinën në pronësi të Mercedes Benzit e bleu një koleksionist privat, ndërsa të ardhurat nga shitja do të përdoren për të krijuar një fond bursash për të rinjtë për të thelluar studimet mbi shkencat mjedisore dhe dekarbonizimin.
Blerësi ka rënë dakord që të lejojë shfaqjen e veturës së rrallë gjatë ceremonive të veçanta, ndërsa modeli tjetër do të qëndrojë në pronësi të Mercedes Benz, i ekspozuar në muzeun e Shtutgartit.
Sipas Sotheby’s, modeli 300 SLR, i cili njihet për format e pazakonta dhe dyer që i ngjasojnë krahëve të fluturave, u ndërtua nga inxhinieri Rudolf Uhlenhaut.
Uhlenhaut u frymëzua nga makina e garave ‘Mercedes-Benz W196’ e cila u shpall dy herë kampione e Formula 1, në 1954 dhe 1955.