Kulturë Ndërron jetë Vangelis, kompozitori “olimpik” i kinematografisë

Ndërron jetë Vangelis, kompozitori “olimpik” i kinematografisë

Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare Vangelis, një nga kompozitorët më të njohur të dekadave të fundit.

Lindur në Greqi me emrin Evangelos Odessey Papathanassiou, por i njohur botërisht si Vangelis, veçanërisht pasi u transferua në Londër gjatë viteve ’70, kompozitori njihet veçanërisht për veprën “Chariots of Fire”, një nga meloditë më të njohura në botë, e përdorur nga dhjetëra reklama, por edhe nga pothuajse çdo sport olimpik në ceremonitë e tyre.

Stili i tij unik, ku bashkonte atmosferat epike të muzikës simfonike me eksperimente elektronike dhe jazz, ishte i vlerësuar maksimalisht në botën e kinematografisë, ku ishte autori i një seri kolonash zanore të ikonike, veçanërisht ajo e filmit “Blade Runner”, “Conquest of Paradise” dhe dokumetarit “Antarctica” në vitet 80, por edhe i titujve më të mëvonshme si “Alexander” i Oliver Stone.

Kompozitori Vangelis

Ai qëndronte kundër komercializimit që sipas tij të dikton përsëritjen e vetes në emër të një suksesi.

Me një interes për shkencën, ai kompozoi pjesë për projektet e Agjencisë Europiane të Hapësirës dhe një tjetër me rastin e vdekjes së astrofizikanit, Stephen Hawking. Me ikjen e tij duhet thënë se edhe bota greke humbet shumë, edhe për faktin se pak më parë u nda nga jeta një tjetër personalitet i artit, Mikis Theodhorakis.

Nuk dihet zyrtarisht shkaku i vdekjes, por sipas mediave greke artisti ka ndërruar jete në Francë, ku po trajtohej për pasojat e COVID-19.