Bashkimi Europian është i gatshëm t’i japë Britanisë “kohë shtesë”, edhe përtej 29 marsit, për të realizuar “Brexit”-in.
“Nëse Britania kërkon më shumë kohë, ne do ta shqyrtojmë kërkesën për shtyrje, por gjithnjë nëse ajo justifikohet nga zgjedhjet e reja nga ana e Britanisë”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron, në një konferencë të përbashkët shtypi me Jancelaren gjermane, Angela Merkel, në Paris.
Por, ai përsëriti se marrëveshja e tërheqjes nuk mund të rinegociohet.
Edhe për Kancelaren Merkel, një kërkesë e tillë do të ishte e logjikshme, me kusht që të shkohet te një “Brexit” i rregullt.
“Ne në fakt po i afrohemi daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, në fund të muajit tjetër. Unë jam plotësisht dakord dhe e kam diskutuar këtë me Theresa Mayn pak ditë më parë, që marrëveshja e daljes është e vlefshme. Nëse Britania ka nevojë për më shumë kohë, ne nuk do ta refuzojmë këtë, por ne po kërkojmë një zgjidhje të rregullt, një dalje të rregullt të Britanisë nga BE-ja”, tha Angela Merkel.
Edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka deklaruar se Spanja nuk do të kundërshtojë një shtyrje të mundshme, por kjo duhet të shoqërohet me perspektivën e një zgjidhjeje.
“Zgjatja e paqartësisë duke shtyrë afatet nuk është një alternativë e arsyeshme dhe as e dëshirueshme”, ka thënë ai.
Kryenegociatori i BE-së për “Brexit”-in, Michel Barnier tha në anën tjetër se në një skenar të tillë, Londra duhet të argumentojë qartë së çfarë do të bëjë në “kohën shtesë”. Kryeministrja britanike, Theresa May bëri një kthesë dramatike në strategjinë e saj, duke u premtuar deputetëve se do t’i lejojë ata të shtyjnë “Brexit”-in, pas kërcënimeve për dorëheqje masive nga radhët e ministrave të saj.