Nga Michael Zehender dhe Cornelia Neumeyer
Gjermanët vazhduan t’u binden kufizimeve të lëvizjes, përpara një vendimi të mundshëm të qeverisë për të zgjeruar masat shtrënguese në të gjithë vendin për përballimin e krizës së koronavirusit.
Deri tani u është lënë landeve në dorë që të marrin masat që popullata të qëndrojë në shtëpi.
Autoritetet shtetërore kanë raportuar vetëm disa incidente me persona që takohen në grupe, një praktikë që mjekët thonë se duhet të shmanget për të ndaluar përhapjen e virusit.
Në qytetin bavarez të Mitterteich, i pari në Gjermani që vendosi shtetrrethim që të mërkurën, pesë burra kishin postuar një selfie duke pjekur mish. Policia tha se ata janë në pritje të akuzave për shkelje të ligjit për mbrojtjen e infeksionit, i cili aktualisht është në fuqi deri më 3 prill.
Gjithashtu në Bavari, policia në Ingolstadt tha se policia kishin prishur një festë me 15 të ftuar, ndërsa autoritetet në shtetin e Rhineland-Palatinate thanë se nuk kishte pasur asnjë shkelje.
Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve po planifikojnë të diskutojnë sot nëse duhet të ketë rregulla mbarëkombëtare.
Kryeministri i landit të Saksonisë së Poshtme, Stephan Weil dëshiron të shmangë shtrëngimet e tepërta me ndalimqarkullimin.
“Imagjinoni që familjet me disa fëmijë në apartamente pa ballkon dhe pa kopshte nuk do të mund të dilnin fare në ajër të pastër. Kjo vështirë se mund të imagjinohet për një periudhë më të gjatë kohore”, i tha Weil gazetës gjermane ”Welt am Sonntag”.
Ndërkohë, një paketë e masave ekonomike, që arrin në qindra miliarda euro, është vendosur të diskutohet të hënën dhe të bëhet ligj deri të premten.
Qeveria gjermane po planifikon përmirësime në programe të veçanta krediti për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha.
Banka shtetërore e zhvillimit KfW do të marrë mbi 90% të rrezikut të kredisë për kreditë e kapitalit në punë në vend të 80% që merrte më parë.
COVID-19 u shfaq për herë të parë në popullatë në Kinë në fund të vitit të kaluar dhe është përhapur në mbi 300 000 njerëz në të gjithë botën.
Gjermania është një nga vendet më të goditura nga koronavirusi.
Të dhënat tregojnë se ka pasur më shumë se 21 600 infeksione në Gjermani deri më tani me më shumë se 70 vdekje.
Spitali universitar në Wuerzburg ka marrë një azil nën kujdes, pasi nëntë njerëz vdiqën atje në lidhje me virusin.
“Vala e infeksionit goditi azilin kur koronavirusi ishte ende një gjë e rrallë në Gjermani”, thuhet në një deklaratë të spitalit.
Gjermanët jashtë vendit janë gjithashtu në rrezik. Ministri i Jashtëm Heiko Maas tha se kishte sfida të mëdha në riatdhesimin e turistëve gjermanë nga jashtë.
“Fatkeqësisht, ne nuk mund t’i shqyrtojmë të gjitha rastet brenda kohës më të shkurtër të mundshme”, ai tha para grupit mediatik ”Funke”.
Në shumë vende, trafiku ajror pothuajse është pezulluar.
Që nga fillimi i javës, më shumë se 100 000 gjermanë janë kthyer në shtëpi, por shumë më tepër janë regjistruar për t’u rikthyer dhe duke pritur për fluturime.