Kancelarja gjermane ka thënë në Zagreb se do të bisedojë me Francën për të krijuar kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Kancelarja gjermane Angela Merkel dëshiron konsensus sa më të shpejtë me Francën për reformimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Këtë ajo e tha të mërkurën në Zagreb, pas një takimi me homologun e saj kroat, Andrej Plenkoviç. “I mbështesim planet e qeverisë kroate për të organizuar një konferencë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor në formatin e plotë Bashkimit Evropian. Dhe do të jetë e rëndësishme që ne të krijojmë kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”
Duke pasur parasysh propozimin e ri të qeverisë franceze për reformimin e procesit të zgjerimit, kancelarja gjermane tha: “Ne tani duhet të bisedojmë me Francën dhe këtë duhet ta bëjmë shumë intensivisht, për të saktësuar elementet që duhen përmirësuar, që duhen ndryshuar, në procesin e zgjerimit. Jemi të gatshëm të bisedojmë, edhe pse qysh sot kemi një numër të madh mundësish për të qenë fleksibël”.
Merkel tha më tej se reformimi i zgjerimit “duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë reale anëtarësimi“. Ajo paralajmëroi se reformimi nuk duhet të ketë si pasojë BE-ja të tërhiqet nga premtimet e bëra.
Kancelarja gjermane ndodhet në Zagreb për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore të Evropës, duke përfaqësuar kryetaren e partisë së vet, Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila është duke përgatitur kongresin e CDU-së, që do të zhvillohet të premten në Lajpcig.
Kroacia do të jetë kryetare e radhës e BE-së në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa Gjermania në gjysmën e dytë. Të dy vendet janë mbështetës të fuqishëm të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.