Në fjalimin me rastin e Vitit të Ri kancelarja Merkel u bën thirrje qytetarëve për guxim, besim dhe frymë të re. Ndryshimi i klimës, digjitalizimi dhe migracioni janë sfida të mëdha.
“Vitet 20-të mund të jenë vite të mira”, thotë kancelarja Angela Merkel në fjalimin me rastin e Vitit të Ri. “Le të surprizohemi sërish me atë që ne mund të bëjmë. Ndryshimet për mirë janë të mundshme, nëse ne jemi të hapur dhe e përqafojmë të renë.” Me këtë apel kancelarja 65 vjeçare po e çon Gjermaninë në dekadën e re.
Fjalimet në televizion të kancelares në Gjermani – përveç fjalimit me rastin e Vitit të Ri – janë të rralla: Merkel madje asnjëherë nuk ka mbajtur një fjalim enkas. Fjalimi i Vitit të Ri transmetohet në orën me shikueshmërinë më të lartë të programit dhe ka një kuotë të lartë shikueshmërie.
Sivjet fjalimi i Merkelit zgjat 15 minuta. Gjithçka ecën sipas planit, a do të jetë ky fjalimi i saj i parafundit. Zgjedhjet e ardhshme janë më 2021 – atëherë pa Merkelin. Pra është ky fjalim edhe një lloj amaneti i saj.
Tipike Merkel
Merkel e nisi mandatin e saj si kancelare më 2005 si reformatore dhe vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen, se sa e rëndësishme është, që vendi dhe partia e saj kristiandemokrate (CDU) të kaliten për të ardhmen. Tani në fjalimin e saj sërish gjen ngjashmëri me fjalimet e fillimeve të karrierës si kancelare. Më shumë se kurrë, thekson ajo, Gjermania ka nevojë për “guxim, për frymën e re” dhe për “forcën për t’u shkëputur nga rrugët e vjetra” ose “për vendosmërinë që të veprojë më shpejt”, vëren ajo. Këto nuk tingëllojnë si një retrospektivë dhe qetësi për ato çfarë janë arritur – edhe kjo mënyrë të shprehuri është tipike për Merkelin.
Merkel përmend tri sfidat aktuale. Digjitalizimi i aktivitetit në punë, lufta e shkaqeve të migrimit nga kontinenti fqinjë, Afrika dhe në radhë të parë ndryshimi i klimës. Përderisa kjo është shkaktuar nga njeriu, “ne duhet të ndërmarrim gjithçka të mundshme njerëzore, për t’i përballuar sfidat e njerëzimit”.
Mbrojtja e klimës pikërëndesë
Paketën ligjore të miratuar së fundi nga federata dhe landet në Gjermani Merkel e përshkruan si një bazë të mirë, tek e cila mund të mbështetesh. Por ajo thekson, se masat e vendosura “ndokujt i gjallin frikë, se nuk do të jenë të përballueshme, dhe ndokujt tjetër i duken të pamjaftueshme “. Megjithatë Gjermania mund të mbështetet tek “ajo që e ka bërë të gjithmonë të fortë: “Idetë, shpirti krijues, zelli dhe këmbëngulja. Ajo si kancelare do të angazhohet me të gjitha “forcat” e saj, që Gjermania të japë kontribut për ta vënë nën kontroll ndryshimin e klimës në mënyrë “ekologjike, ekonomike dhe sociale”. Me këtë Merkel jep një sinjal edhe ndaj partive të tjera, që për mbrojtjen e klimës të jenë të arsyeshme dhe të mos duan ta realizojnë atë në mënyrë të njëanshme.
Busulla për dekadën e ardhshme duhet të mbeten vlerat e kushtetutës dhe ekonomia sociale e tregut. Edhe në epokën digjitale vlen, që “teknika i shërben njeriut dhe jo “anasjelltas”.
“Çfarë na bashkon”
Pavarësisht nga të gjitha ka “arsye të forta për të pasur besim”. Merkel kujton në fjalimin e saj ribashkimin gjermano-gjerman, që kremton 30 vjetorin më 2020. Në vitin që lemë pas në Gjermani pati debate intensive për pasojat politike, ekonomike dhe sociale të ribashkimit. Arritja është “madhështore”, thotë Merkel, por megjithatë ka ende mjaft për të bërë, “nga sa ne patëm menduar 30 vjet më parë”. E rëndësishme është, të mbështetemi tek e përbashkëta, “ajo që na bashkon ne”.
Në një pjesë të fjalimit të saj Merkel i referohet polarizimit në Gjermani dhe pasojave të tij. Ajo u premtoi politikanëve profesionistë dhe atyre vullnetarë se do t’i mbrojë prej “urrejtjes, armiqësive dhe dhunës, prej racizmit dhe antisemitizmit”. “Kjo është detyra e shtetit” dhe qeveria federale ndihet “veçanërisht e detyruar” për këtë.
2020 do të jetë viti i Europës
Në fund Merkel jep një pasqyrë për planet e presidencës gjermane të BE-së më 2020. Do të ketë një samit me Kinën dhe një takim me shtetet e Afrikës. Merkel thekson, se sa i rëndësishëm është Bashkimi Europian në përballjen gjeostrategjike për “vlerat dhe interesat”.
Kancelarja falenderon posaçërisht të gjithë ata, që “shërbejnë jashtë Gjermanisë”, si ushtarët, policët dhe ndihmësit civilë. Të gjithë qytetareve dhe qytetarëve ajo u uron një “Vit të Ri 2020 të shëndetshëm, të gëzuar dhe të bekuar”./DW